Nga salla e kinemasë te ekonomia lokale, ndikimi i DokuFest në Prizren dhe Kosovë

DokuFest ka publikuar një studim të pavarur nga Instituti GAP, që tregon se festivali nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por edhe një motor i rëndësishëm ekonomik për Prizrenin dhe Kosovën.
Rezultatet e studimit konfirmojnë atë që qytetarët, bizneset dhe vizitorët e ndjejnë çdo gusht: DokuFest sjell jetë, energji dhe përfitime të prekshme për qytetin dhe vendin.
Sipas analizës, çdo 1 euro e investuar në DokuFest gjeneron 9 euro aktivitet ekonomik. Për edicionin e 24-t, i mbajtur këtë gusht, studimi tregon se vizitorët e festivalit kanë shpenzuar mbi 5.2 milionë euro për akomodim, ushqim, transport dhe shërbime të tjera në qytet, ndërsa kontributi i festivalit në Bruto Prodhimin Vendor të Kosovës arrin rreth 3.7 milionë euro, përcjell Telegrafi.
GAP Institute ka kombinuar të dhënat nga anketimi i vizitorëve me statistikat e bizneseve lokale për të kuptuar më mirë se si DokuFest ndikon në turizëm, modele shpenzimesh dhe vizitat e reja në Prizren.
“Ky raport është një dëshmi se investimi në kulturë është gjithashtu investim në zhvillimin lokal”, theksojnë organizatorët e festivalit.
Gjatë më shumë se dy dekadave, DokuFest është shndërruar në një platformë ku takohen filmat, ekspozitat, ligjëratat, punëtoritë edukative, koncertet dhe programet muzikore, duke sjellë përfitime konkrete për qytetin dhe komunitetin.
Teksa DokuFest përgatitet për edicionin jubilar të 25-vjetorit, raporti dërgon një mesazh të qartë për institucionet, median, partnerët dhe qytetarët: mbështetja e kulturës në Kosovë nuk është thjesht një vlerë artistike, por sjell përfitime ekonomike dhe sociale, nga vendet e reja të punës te turistët e rinj dhe tregimi i historive të qytetit për botën.. /Telegrafi/


















































