Nga Neuer te Karius: Schalke 04 ëndërron rikthimin në Bundesligë dhe madhështinë e dikurshme

Vetëm dhjetë vite më parë, Schalke 04 ishte në mesin e katër skuadrave më të mira të Ligës së Kampionëve, me Manuel Neuer dhe kampionë të tjerë.
Sot, klubi i Gelsenkirchen ndodhet në kategorinë e dytë të futbollit gjerman, Bundesliga 2, duke kaluar një periudhë të vështirë që duket pothuajse e pabesueshme.
Në pesë sezonet e fundit, Schalke ka kaluar katër sezone në divizionin e dytë, me dy sezone që u përfunduan larg zonave të larta të tabelës – një vend i 10-të dhe një i 14-të – gjë që ndikoi në humbjen e moralit të tifozëve. Megjithatë, fillimi i këtij sezoni është pozitiv, dhe pozita e dytë në klasifikim pas katër muajsh të parë i ka rikthyer shpresat tifozëve për një rikthim në elitën e futbollit gjerman.

Në vitet e fundit, Schalke 04 ishte një klub që luftonte për kualifikimin në kupat evropiane dhe që ka prodhuar talentet më të mëdha gjermane të kohës së fundit.
Pjesëmarrjet e fundit në garat kontinentale datojnë nga sezoni 2016/17, me eliminimin në çerekfinale të Ligës së Evropës nga Ajax, dhe 2018/19, kur u mposht nga Manchester City në 1/8 e Ligës së Kampionëve.
Pika më e lartë e historisë së fundit të klubit ishte viti 2011, kur në vetëm disa muaj, midis prillit dhe korrikut, Schalke arriti gjymsëfinalen historike të Ligës së Kampionëve – një arritje e pazakontë për klubin – ku u eliminuan nga Manchester United, fitoi Kupën e Gjermanisë dhe Superkupën e Gjermanisë kundër rivalëve të Borussia Dortmund.
Në atë kohë, skuadra përbëhej nga lojtarë të mëdhenj si Manuel Neuer, Joel Matip, Raul dhe talenti në rritje Julian Draxler, i cili më vonë nuk e konfirmoi plotësisht potencialin e treguar me Schalke.

Gjatë viteve, Schalke ka shitur edhe lojtarë të tjerë të shquar si Leroy Sané, Weston McKennie, Thilo Kehrer dhe Manuel Neuer, të gjithë të transferuar në klube të mëdha evropiane për shuma të mëdha.
Sot, Schalke ëndërron rikthimin në Bundesliga dhe për këtë po mbështetet në një përzierje të të rinjve premtues dhe lojtarëve me përvojë. Në ekip spikat portieri Loris Karius, i njohur për gabimet në finalen e Ligës së Kampionëve me Liverpool në 2018. Ndër të tjerë, është edhe Amin Younes, sulmues i krahut që ka kaluar në Napoli nga 2018 deri në 2022, dhe Emil Hojlund, vëllai i Rasmus Hojlund, sulmuesi i Napolit.
Kontribut të madh po japin edhe sulmuesi malian Moussa Sylla dhe mesfushori turk Kenan Karaman, kryegolashënuesit e Schalke deri tani.

Trajneri Miron Muslic, ish-lojtar i Plymouth Argyle, shprehet: “Kjo mund të jetë periudha më krenare për mua në pesë muajt e fundit. Jemi të lumtur për paraqitjet dhe fitoret e fundit. Çdo lojtar jep 100% për fanellën dhe për klubin".
Schalke shpreson se pas dy rënieve (2020/21 dhe 2022/23) dhe një rikthimi të mesëm në elitë, këtë sezon mund të rikthehet fuqishëm në Bundesliga. /Telegrafi/




















































