Nga Mateta te Kolo Muani: Si dështoi Juventusi të nënshkruajë me një sulmues të ri në janar

Gjatë afatit kalimtar dimëror, Juventusi zhvilloi disa bisedime për afrimin e një sulmuesi të ri, por në fund mbeti pa përforcim në qendër të sulmit.
Trajneri Luciano Spalletti, pas fitores 3-0 ndaj Napolit, pranoi se skuadra kishte nevojë për një profil ndryshe nga Jonathan David dhe Lois Openda – një sulmues që mban topin dhe krijon hapësira për repartin ofensiv.
Pavarësisht kërkesës për një qendërsulmues, bardhezinjtë përfunduan afatin duke afruar anësorin Jeremie Boga dhe mbrojtësin e djathtë Emil Holm. Një sulmues i ri nuk u sigurua, pavarësisht përpjekjeve në disa fronte.

Mateta, objektivi i parë që dështoi
Emri i parë në listë ishte Jean-Philippe Mateta i Crystal Palace. Juventusi synonte një huazim me opsion blerjeje që mund të bëhej i detyrueshëm, por klubi anglez kërkonte vetëm transferim të përhershëm.
Mospajtimi për formulën e marrëveshjes bëri që bisedimet të dështojnë. Ai pastaj dështoi edhe t'i kalojë testet mjekësore te Milani.

En-Nesyri dhe refuzimi i lojtarit
Alternativa e radhës ishte Youssef En-Nesyri i Fenerbahçes. Edhe pse Juventusi arriti marrëveshje me klubin turk, sulmuesi maroken nuk pranoi të largohej me huazim, duke bllokuar transferimin.
Ai donte një transferim të përhershëm hap që Juventusi nuk ishte i gatshëm ta merrte.
Icardi dhe pista që nuk u konkretizua
Kontaktet me Galatasarayn për Mauro Icardin nuk hynë kurrë në një fazë serioze. Ideja u diskutua, por pa hapa konkretë drejt një marrëveshjeje.
Ai mbetet te gjiganti turk, edhe pse Spalletti ishte gati ta ofronte, pasi kishte punuar me të te Interi.

Kolo Muani, shpresa e fundit
Randal Kolo Muani ishte emri i fundit i diskutuar. Juventusi shpresonte ta rikthente në Torino, por Tottenham refuzoi të ndërpriste huazimin e sulmuesit nga PSG, duke mbyllur përfundimisht këtë pistë.
Ai kishte shkëlqyer te Juventusi dhe gjatë verës u punua shumë për të, por shuma e kërkuar nga PSG ishte e lartë për Zonjën e Vjetër.

Aktualisht, Jonathan David dhe Lois Openda janë të vetmit sulmues qendrorë në dispozicion të Spallettit. Dusan Vlahovic pritet të rikthehet nga lëndimi brenda një muaji, përpara largimit të tij të mundshëm nga Juventusi në fund të kontratës në qershor. /Telegrafi/

















































