Saxhide Mustafa, zëvendësdrejtoreshë ekzekutive në Institutin Riinvest dhe koordinatore e Forumit Ekonomik të Grave të Kosovës

Pjesëmarrja e grave në politikë në Kosovë po avancon me një ritëm të ngadalshëm, veçanërisht në nivelin lokal. Ndërkohë që në nivelin qendror gratë kanë arritur të sigurojnë përfaqësim mbi kuotën minimale prej 30 për qind në Kuvendin e Kosovës, ku ky nivel mbetet ende nën standardin e përcaktuar nga Ligji për Barazi Gjinore (Nr. 05/L-020), i cili parasheh përfaqësim të barabartë prej 50 për qind.


Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2025 tregojnë se, edhe pse gratë përbëjnë rreth 30 për qind të përfaqësuesve në Kuvendin e Kosovës dhe në kuvendet komunale, ato vazhdojnë të jenë dukshëm të nën-përfaqësuara në pozita udhëheqëse dhe ekzekutive. Në nivel lokal, pozitat kyçe dominohen pothuajse tërësisht nga burrat: nuk ka asnjë kryetare komune, asnjë kryesuese të kuvendit komunal dhe vetëm një numër shumë i kufizuar në pozita udhëheqëse të drejtorive komunale. Kjo tregon se kuota gjinore zbatohet kryesisht si minimum ligjor, pa u shndërruar në pjesëmarrje reale dhe të qëndrueshme.

Kjo situatë reflektohet në përgjithësi në sektorin publik. Sipas Institutit Riinvest (2022), rreth një e treta e grave shprehin interes për të marrë pozita vendimmarrëse në sektorin publik. Megjithatë, ky interes nuk përkthehet në përfaqësim real, pasi vetëm 9.4 për qind e grave aktualisht mbajnë pozita vendimmarrëse. Një nga arsyet kryesore lidhet me perceptimin e ulët për gjasat e avancimit të tyre ku mbi gjysmën e grave në sektorin publik besojnë se nuk kanë mundësi reale për të arritur pozita udhëheqëse si rezultat i barriera strukturore dhe norma tradicionale, të cilat bëhen edhe më të theksuara gjatë periudhave si shtatzënia dhe lehonia.

Hendeku mes kornizës ligjore për barazi gjinore dhe praktikës institucionale tregon se institucionet dhe partitë politike shpesh nuk krijojnë kushte për pjesëmarrje të qëndrueshme të grave, veçanërisht në momentet kur ato përballen me sfidën e balancimit ndërmjet përgjegjësive profesionale dhe atyre familjare. Në këtë kontekst, lehonia shpesh perceptohet si një shkëputje nga angazhimi politik, duke ndikuar drejtpërdrejt në vazhdimësinë e rolit të grave në vendimmarrje.

Në nivel lokal, pjesëmarrja e grave në politikë mbetet e varur nga mënyra se si partitë ndërtojnë listat zgjedhore, nga kalkulimet elektorale dhe nga pozicionimi i kandidateve në lista. Përfshirja e grave shpesh është rezultat i kërkesave formale ligjore dhe jo i një vullneti të qartë për t’u dhënë atyre rol real dhe ndikues në vendimmarrje.

Në këtë realitet, nuk mungojnë shembujt e sakrificave personale. Sot jo vetem ne vendet e ndryshme nëpër botë por edhe tek ne, shohim asambleiste, deputete, madje edhe ministre që detyrohen të sjellin fëmijët me vete në aktivitete zyrtare, apo rrëfime si ai i një ambasadoreje që ishte e detyruar të marrë pjesë në një ngjarje vetëm katër ditë pas lindjes, sepse “puna nuk pret”. Këto raste nuk janë dëshmi vetëm të përgjegjësisë individuale të grave, por tregues të mungesës së mekanizmave mbështetës institucionalë.

Organizatat e shoqërisë civile kanë theksuar vazhdimisht se përkundër përmirësimeve në legjislacion dhe zhvillimit të kapaciteteve të grave, normat patriarkale dhe mungesa e mbështetjes reale institucionale vazhdojnë të pengojnë avancimin e grave në politikë.

Raportet e National Democratic Institute (NDI) vazhdimisht potencojnë se ekziston një mungesë strukturore e mekanizmave mbështetës brenda sistemit politik për të akomoduar gratë gjatë periudhave personale dhe familjare, përfshirë lehoninë.

Në nivel rajonal, Raporti i Kvinna till Kvinna Foundation (2022) konstaton se barrierat institucionale dhe kulturore vazhdojnë të kufizojnë pjesëmarrjen e grave në politikë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë diskriminimin, mungesën e mbështetjes nga partitë politike dhe zbatimin e dobët të kuotave gjinore. Këto barriera janë të lidhura ngushtë me pritshmëritë gjinore dhe rolet tradicionale të kujdesit.

Në të njëjtën kohë, raportet e UNDP-së (2023) dhe të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (2023) tregojnë se barra e punës së papaguar dhe e kujdesit familjar bie kryesisht mbi gratë. Sistemi aktual i pushimit të lehonisë, i cili e ngarkon pothuajse ekskluzivisht gruan me kujdesin ndaj fëmijës, ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e saj për angazhim të vazhdueshëm politik. Këto politika, të hartuara jashtë kontekstit të përfaqësimit politik, prodhojnë përjashtim indirekt të grave lehona nga proceset vendimmarrëse.

Për ta ndryshuar këtë realitet, nevojiten reforma politike dhe institucionale që shkojnë përtej kuotave gjinore. Në kuadër të projektit “Më shumë zgjedhje” mbështetur nga UNFPA dhe ADA kërkohet qeverisje gjithëpërfshirëse dhe balancimin punë jetë, ku përfaqësimi i qëndrueshëm i grave kërkon mekanizma konkretë mbështetës, si: leje prindërore, krijimi i zëvendësimeve të përkohshme gjatë lehonisë pa cenuar mandatin, funksionalizimi i pjesëmarrjes hibride në proceset vendimmarrëse, leje prindërore, dhe në mungesë të këtyre angazhimi i partive politike duhet të jetë mbështetje reale dhe jo vetëm simbolike. Politikat e balancimit punë jetë nuk janë më kërkesa luksi, por domosdoshmëri për funksionimin e demokracisë. Politikat e përgjegjshme gjinore dhe vendet e punës miqësore për familjen janë gjithnjë e më të kërkuara, veçanërisht nga të rinjtë, dhe duhet të reflektohen qartë në kornizën ligjore të Kosovës, përfshirë Ligjin e Punës.

Institucionet dhe partitë politike duhet të pranojnë se barrierat gjinore nuk eliminohen vetëm me kuota por kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse që adreson realitetet kulturore, ekonomike dhe institucionale me të cilat përballet një grua gjatë gjithë ciklit të jetës politike, përfshirë lehoninë. Vetëm kështu mund të thyhet narrativa që e sheh lehoninë si pengesë dhe pjesëmarrja e grave në politikë të bëhet e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

(Ky shkrim është hartuar në kuadër të projektit “Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale”, që implementohet nga Demokraci për zhvillim (D4D) dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja pasqyron mendimet dhe qëndrimet e autores dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e organizatës/donatorit)