Adrian “Maravilla” Martinez ka shkruar një histori që duket si film: gjashtë muaj në burg, besimi tek Zoti dhe futbolli si e vetmja rrugë shpëtimi.

Historia e tij nuk ka të bëjë me rrugët klasike të futbollistëve të famshëm, të rritur në akademitë më të mira të vendit apo të adhuruar nga një lagje e tërë. Karriera e Adrian Martínez fillon nga një realitet krejt i ndryshëm.


Fëmijëria dhe tragjedia

I rritur në Campana, një qytet i vogël pranë Buenos Airesit, deri në moshën 20-vjeçare, karriera më e afërt e Adriánit përfshinte punë si murator dhe pastrues rrugësh. Por jeta e tij ndryshoi në mënyrë tragjike në vitin 2014: tre të shtëna me armë e vranë vëllain e tij. Pas ngjarjes, Adrian dhe prindërit e tij u akuzuan për djegien e shtëpisë së autorit të krimit. Dënimi? Gjashtë muaj burg.

Vetëm më vonë u zbulua e vërteta: ndërkohë që dikush digjte shtëpinë e vrasësit të vëllait të tij, Adrian ishte në spital, duke mbajtur dorën e vëllait që po largohej nga jeta. Në burg, ai pa njerëz të vdesin, dhe përjetimi i asaj dhimbjeje i ndryshoi jetën. Atje lindi një tjetër Adrian.

Nga burgu te goli kundër River Plate

Pas lirimit, ai rikthen besimin tek Zoti: “Kam parë njerëz të vdesin para meje. Vetëm Zoti më shpëtoi dhe më bëri të kuptoj që duhej të luaja futboll”, do të rrëfejë më vonë për revistën Enganche.

Rikthimi i tij filloi nga Primera C, pastaj te Atlanta, ku edhe shënoi kundër River Plate. Pas tre sezoneve me Bohemios, rruga e tij vazhdoi në Paraguaj: fillimisht te Sol de América, pastaj te Libertad dhe Cerro Porteño.

Në vitin 2022, ai fiton Copa de Paraguay, e cila shërben si trampolinë për Brazilin. Një vit më vonë, kthehet në Argjentinë te Instituto de Córdoba, i njëjti klub që kishte zbuluar Paulo Dybala. Diferenca? Adrián arriti aty kur ishte në prag të të 31-ave.

Rritja te Racing Club

Futbolli i tij triumfon te Racing Club. Me 18 gola në 41 paraqitje, ai tërheq vëmendjen edhe të Boca Juniors dhe Independiente. Në vitin 2024 firmos për Racing, dhe brenda një viti fiton Copa Sudamericana dhe Recopa Sudamericana. Kthimi në periferi të Buenos Airesit i sjell fat.

Sezona e tij e parë te Racing ishte thjesht “Maravilla”: dy trofe dhe 31 gola në 51 paraqitje për një sulmues të lindur në vitin 1992. Një fillim spektakolar që nuk ka nevojë për koment të mëtejshëm.

Drejt finales së Clausura

Pas një sezoni normal – për të 20 gola në 42 ndeshje – Racing rikthehet në nivele të larta, falë sulmuesit të tij. Në një gjysmëfinale kundër Boca Juniors, në një Bombonera të mbushur plot, Martínez ngrihet lart dhe me kokë shënon golin që ngrin 57,000 spektatorë: 1-0 për Racing, duke e çuar ekipin në finale kundër Estudiantes.

Tani, Clausura është vetëm një hap larg. Nga muratori në Campana te sulmuesi i pandalshëm: Adrián Martínez po shkruan “Maravillan” e radhës në një jetë që duket si një film. /Telegrafi/

telegrafi sport app