Nënshkruhet marrëveshja për sistemin e ujitjes në Podujevë, parashihet ndërtimi i 80 km rrjet

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se sot ka nënshkruar marrëveshje me ministrin e Bujqësisë, Armend Muja, për financimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore në këtë komunë.
Në një postim në Facebook, Bulliqi e ka cilësuar këtë si “një investim të madh për bujqësinë”, duke bërë të ditur se projekti parasheh ndërtimin e një rrjeti prej 80 kilometrash.
“Sot, bashkë me ministrin e Bujqësisë, Armend Muja, nënshkruam marrëveshje për financimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore në Podujevë”, ka shkruar Bulliqi.
Sipas tij, projekti do të mbulojë një sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore në disa zona të komunës.
“Projekti parasheh ndërtimin e 80 kilometrave rrjet të ujitjes, i cili do të mbulojë rreth 70 km² tokë bujqësore në 10 zona, duke krijuar kushte më të mira për fermerët dhe duke rritur prodhimtarinë bujqësore”, ka deklaruar ai.
Bulliqi ka theksuar se ky projekt, sipas tij, është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejshëm të sektorit të bujqësisë në Podujevë.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejshëm dhe krijimit të kushteve sa më të mira për bujqit tanë!”, ka shkruar Bulliqi.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se ministri Muja ka ndarë edhe rreth 1 milion euro për projektin e parkut bujqësor, i cili, sipas tij, është në ndërtim e sipër.
“Gjithashtu, ministri ndau edhe rreth 1 milion euro për projektin e parkut bujqësor, i cili është në ndërtim e sipër”, ka shtuar Bulliqi.
Në fund, Bulliqi ka falënderuar ministrin Muja për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e këtyre projekteve.
“E falenderoj ministrin Armend Muja për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e këtyre projekteve me rëndësi të madhe për Podujevën”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

































