Në Shtime hapet edicioni i tretë i Panairit të Librit “Shtimja 2026”

Komuna e Shtimes ka njoftuar se në kuadër të aktiviteteve të “Ditëve të Bashkatdhetarëve”, është hapur edicioni i tretë i Panairit të Librit “Shtimja 2026”.
Panairi po mbahet në Sheshin “Ahmet Shtimja”, ku janë prezantuar botime të reja dhe një ofertë e pasur librash nga shtëpi të ndryshme botuese.
Panairin e ka vizituar edhe nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, i cili ka vlerësuar rëndësinë e këtij aktiviteti për promovimin e leximit, dijes dhe kulturës.
Ademi ka theksuar se libri mbetet një urë e fuqishme që lidh dijen, kulturën dhe brezat, duke e cilësuar si të rëndësishme shndërrimin e hapësirave publike në vende ku promovohen vlerat kulturore.
Gjatë vizitës, nënkryetari Ademi është njohur nga afër me botimet e ekspozuara dhe ka zhvilluar biseda me përfaqësuesit e shtëpive botuese, të cilëve u ka shprehur mirënjohje për pjesëmarrjen dhe kontributin në jetën kulturore të qytetit.
Panairi i Librit “Shtimja 2026” do të vazhdojë edhe nesër, nga ora 10:00, në Sheshin “Ahmet Shtimja”, ku qytetarët, bashkatdhetarët dhe dashamirët e librit ftohen të vizitojnë panairin dhe të njihen me botimet më të reja. /Telegrafi/









































