Komuna e Pejës ka shënuar Ditën Botërore të Shëndetit Mendor me një aktivitet sensibilizues, që kishte për qëllim promovimin e kujdesit për mirëqenien mendore si pjesë thelbësore e shëndetit të përgjithshëm, përcjell Telegrafi.

Në këtë aktivitet morën pjesë parashkollorë, nxënës, persona me nevoja të veçanta dhe profesionistë të fushës së shëndetit mendor, të cilët përmes aktiviteteve simbolike dhe mesazheve ndërgjegjësuese përcollën rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor në jetën e përditshme.




Ngjarja u organizua nga Zyrtarja për Barazi Gjinore në Komunën e Pejës, znj. Samka Drançolli, dhe psikologia znj. Mirlinda Kelmendi Shkreli, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, Drejtorinë e Shëndetësisë, Qendrën e Shëndetit Mendor, Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik, si dhe OJQ-të “Duart Plot Mëshirë”, “Pema” dhe “Hendikos”.

Përmes këtij aktiviteti, Komuna e Pejës ka synuar të rrisë vetëdijen qytetare për rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrit emocional dhe kujdesit psikologjik, si faktor kyç për një shoqëri më të shëndetshme dhe më të lumtur.