LAJMI I FUNDIT:

Në Kosovë janë 43 këmbimore

Në Kosovë janë 43 këmbimore

Në tërë territorin e Republikës së Kosovës deri në nëntor të këtij viti figurojnë të regjistruara në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) 43 këmbimore të cilat në veprimtarinë e tyre kanë shitblerjen e valutave të huaja në para të gatshme.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se numri i këmbimoreve të regjistruara në Bankën Qendrore të Kosovës kap shifrën mbi 40 sosh.

“Numri i këmbimoreve të regjistruara në BQK deri në muajin nëntor të këtij viti është 43 sosh”, ka thënë Ahmeti.


I pyetur se si funksionojnë dilerët, të cilët nëpër rrugët e Prishtinës i këmbejnë paratë në duar, Ahmeti ka theksuar se çdo aktivitet këmbimor që bëhet pa qenë i licencuar në BQK është i paligjshëm.

Sipas manualit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për regjistrimin e institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare, “institucion financiar jobankar (IFJB) – person juridik që nuk është bankë e as institucion mikrofinanciar, që është regjistruar nga BQK-ja sipas Ligjit për Bankat, IMF dhe IFJB, për t’u angazhuar në një ose më tepër nga veprimtaritë vijuese duhet ta ketë: dhënien e kredive, hyrjen në hua dhe kontrata qiradhënieje financiare-lizingu, në nënshkrimin, tregtimin, ndërmjetësimin ose shpërndarjen e letrave me vlerë, veprimin si shoqëri investuese ose këshilltar i investimeve apo ofrimin e shërbimeve të tjera financiare siç janë këmbimi valutor; kreditëkartat; faktoringun ose garancitë, ose shërbime të tjera financiare, edukuese-trajnuese, këshillëdhënëse dhe operacionale, si dhe veprimtari të tjera sipas përcaktimit nga BQK-ja”. /Telegrafi/