Në Junik do mbahet edicioni i tretë i festivalit “KAH DRITA”


Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova), në bashkëpunim me partnerë lokalë, ka bërë të ditur organizimin e edicionit të tretë të festivalit “KAH DRITA”, i cili këtë vit i kushtohet temës së transhumancës, traditës shekullore të lëvizjes sezonale të blegtorëve dhe bagëtive në bjeshkë.
Festivali do të mbahet më 4 dhe 7 korrik 2026 në Junik, duke sjellë një program të larmishëm që ndërthur trashëgiminë kulturore, edukimin, natyrën dhe artin.
Sipas organizatorëve, aktivitetet e 4 korrikut do të zhvillohen në Valavicë dhe përfshijnë punëtori edukative mbi inteligjencën artificiale si dhe aktivitete për fëmijë. Po ashtu, do të shfaqet dokumentari “Stina e Stanit”, i ndjekur nga një bisedë me autoret e filmit.
Në mbrëmje parashihet hapja zyrtare e festivalit dhe përurimi i Ballkonit Panoramik në Gjocaj, ndërsa programi do të përmbyllet me performanca muzikore nga Dukagjin Muhaxheri Quartet dhe Peppa Marriti Band.
Më 7 korrik, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përjetojnë nga afër jetën në bjeshkët e Junikut përmes një vizite njëditore në stanin e familjes Krasniqi. Programi përfshin ecje në kullota, njohje me traditat e blegtorisë dhe procesin e përgatitjes së produkteve tradicionale të qumështit, si dhe një drekë tradicionale të shoqëruar me interpretim të këngëve të bjeshkës nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve nga Deçani.
Organizatorët theksojnë se përmes këtij festivali synohet promovimi i trashëgimisë kulturore të rajonit të Junikut, nxitja e dialogut për ruajtjen e traditave dhe krijimi i hapësirave për lidhjen e komunitetit dhe vizitorëve me natyrën, historinë dhe kulturën lokale.




































