Ndërsa ndihmat e diskutueshme nga ajri rifilluan në disa pjesë të Gazës të dielën, disa palestinezë folën për vështirësitë e tyre për të aksesuar ndihmën humanitare pasi ajo kishte rënë në tokë.

Massad Ghaban — i cili po kërkonte ndihmë në Beit Lahia, një qytet në Gazën veriore ku u hodhën disa pako ndihme — tha se ndihmat nga ajri janë “fyese”.


“Nga ora 6 e mëngjesit deri më tani nuk hëngrëm dhe nuk pimë. Nuk morëm ndihmë nga kamionët. Pas kësaj, ata thanë se aeroplanët do të hedhin ndihmë nga ajri, kështu që pritëm edhe për këtë”, tha ai.

“Aeroplanët janë fyes për ne. Ne jemi një popull që meriton dinjitet.”

Një tjetër palestinez në të njëjtën zonë të Gazës, Mahmoud Soukar, tha se i ndoqi aeroplanët në kërkim të ndihmës, por u kthye duarbosh, shkruan CNN.

“Ata hodhën ndihmën rreth 3 kilometra nga vendi ku ishin mbledhur njerëzit, dhe ne nuk morëm asgjë”, tha Soukar.

“Kjo është një situatë shumë e vështirë.”

Ndryshe, dërgesat nga ajri të ndihmës janë kritikuar ashpër ditët e fundit nga disa grupe humanitare, të cilat thonë se janë të shtrenjta, joefikase dhe të rrezikshme për ata që janë në terren, me paleta furnizimesh që kanë shtypur palestinezët në të kaluarën.

Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë i quajti dërgesat një “shpërqendrim” të shtunën, duke thënë se ato do të bëjnë pak për të lehtësuar vuajtjet në enklavë.

Përkrahësit thonë se metoda mund të veprojë si një mjet shtesë për të shpërndarë ndihmë në zonat e vështira për t'u arritur dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore. /Telegrafi/