"Ne e kemi Yildizin" - McKennie mesazh tifozëve turq para ndeshjes me Galatasarayn

Para sfidës së radhës në rundin e play-off-it të Ligës së Kampionëve kundër Galatasaray, mesfushori i Juventus, Weston McKennie, ka ndarë mendimet e tij mbi ndeshjen dhe ka shprehur shpresën që tifozët turq të jenë më të butë për ekipin bardhezi për shkak të pranisë së Kenan Yildiz.
McKennie ishte pjesë e konferencës për shtyp së bashku me trajnerin Luciano Spalletti të hënën mbrëma, pak para ndeshjes së parë të play-off-it që zhvillohet të martën në Stamboll.
Juventus përfundoi fazën e ligës në vendin e 13-të, tre pikë larg zonës së tetë më të mirë që garanton një vend në 1/8-at e finales. Kjo do të thotë se për të siguruar një vend në turin tjetër, Bianconeri duhet të fitojnë ndaj Galatasaray në dy ndeshje.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, duam të fitojmë çdo ndeshje sepse jemi Juventus,” tha McKennie për median.
Ka sugjerime që ai mund të luajë si “false nine” për shkak se Jonathan David, Dusan Vlahovic dhe Arkadiusz Milik nuk janë në dispozicion.
“Jam gjithmonë i gatshëm për ekipin, luaj ku do trajneri, madje edhe në portë”, shtoi amerikania.
Më tej, McKennie foli edhe për atmosferën që e pret ekipin në Stamboll dhe ndikimin e Yildiz.
“Ai ka folur për këtë dhe unë kam luajtur këtu më parë, prandaj e di si janë tifozët. Shpresojmë që nuk do të na fishkëllijnë shumë për shkak të Kenanit”, deklaroi ai.

Ai shtoi se pas Derby d’Italia të zhvilluar kundër Inter, fokusi i ekipit është vetëm te ndeshja e Galatasaray.
“Është pak e vështirë kur ndodhin gjëra të tilla. Ne duhet të përqendrohemi te ndeshja e nesërme dhe të japim më të mirën tonë”, nënvizoi amerikani. /Telegrafi/





















































