LAJMI I FUNDIT:

Në duar të hajnave

Punësime pa konkurs, nënshkrime kontratash pune pa mbulesë financiare, shfrytëzimi i njërës linjë buxhetore për shpenzime në linjën tjetër buxhetore, shkuarje në misione ndërkombëtare, pra udhëtime ndërkombëtare pa kontroll të cilësisë, për më keq, realizime të udhëtimeve ndërkombëtare të përditshme, javore dhe mujore të njerëzve që nuk janë punëtorë në institucionin përkatës, pastaj , lidhje kontratash të dëmshme për institucionin dhe shtetin ndërsa që përfitues janë personalisht ata që i lidhin, dhe kështu me radhë, janë disa karakteristika që karakterizojnë institucionin qeverisës në Kosovë. Në fakt, këtë terminologji, tash e sa vjet, e mësuam edhe përmendsh.

Vlen të përmendet që shpesh po ndodhë që drejtuesi i këtyre institucioneve po vjen dhe po shkon ndërsa që çdo gjë po mbetet e njëjtë, e pandryshuar. Nuk është me rëndësi të merret as edhe një institucion ose agjenci qeverisëse si shembull, model, pra mostër, sepse gjasat janë, pra indikatorët ose treguesit, që secili institucion qeverisës, përfshirë edhe Kuvendet Komunale, të jenë në këtë gjendje, në situatë të tillë.

Nuk dihet nëse kjo situatë nëpër institucionet qeverisëse ka ndonjë lidhje me atë që njihet si “sistem qeverisës” ose ndoshta edhe si “mentalitet/mendësi qeverisëse”. Sidoqoftë, refuzojë të përpijë teorinë se kjo vjen nga të qenit, thjeshtë, kosovar, pra diçka si “ju jeni kosovarë dhe nuk dini më mirë”. Sepse, nëse asgjë tjetër, unë jam pjesë e institucioneve qeverisëse, sillem këtejpari.

Ilaçi i vetëm për shërimin e këtij sistemi ose mentaliteti është burgu dhe konfiskimi/shpërndarja e pasurisë, pra pasoja administrative që vjen nga këto lëshime dhe parregullsi menaxhuese (siç i cilëson Auditori i Përgjithshëm). E para që duhet të bëhet është që sistemi qeverisës, pra kabineti qeveritar, është që këta njerëz fillimisht t’i lirojë nga puna dhe pastaj t’i përcjellë në gjyqësor, në drejtësi. Sepse, nuk e di se si ta them këtë, por nuk ka më kiamet se sa të punosh me hajna, midis hajnave ose të jesh i rrethuar nga ta, me të cilën gjë unë ndeshem përditë tash e sa vjet. E hajnat e tillë nuk po e vjedhin “bahçen e babës”, por bahçen e shtetit, pra shtetin dhe shoqërinë tatimpaguese.

Unë jam për të ndihmuar që sistemi qeverisës të pastrohet dhe spastrohet nga njerëz të tillë, nga zyrtarë të tillë qeveritarë të cilët po e shfrytëzojnë secilën hapësirë të mundshme ligjore për keqbërje, keqpërdorim, keqveprim, keqmenaxhim. Tek e fundit, nga vështrimi politik, këta zyrtarë nuk i ka sjellë PDK-ja ose LDK-ja dhe AAK-ja më herët (sic!). Nëse ndodhë ndërkohë që Vetëvendosja të marr pushtetin, atëherë këta zyrtarë do t’i gjejë këtu.

Këta zyrtarë nuk janë as mbeturinë e komunizmit ose diçka e ngjashme. Ose, këta zyrtarë nuk janë duke vepruar kështu sepse nuk dinë ndryshe, por rrafsh e barabartë e kundërta – sepse dinë, andaj dhe po bëjnë. Kështu, këta njerëz janë, thjeshtë, aty sepse sistemi qeverisës ende nuk është përmbyllur përkundër që Kosova i kaloi mbi tetë vjet nga themelimi i institucioneve qeverisëse. Ashiqare, kjo situatë duhet të ndryshojë sepse fati jonë, i shoqërisë, i shtetit, nuk guxon të jetë ashtu siç është – në duar të hajnave.