LAJMI I FUNDIT:

Ndotja e ajrit shqetësuese, Hasani: Po punojmë që 20% e naftës të jetë bio (Video)

Ndotja e ajrit shqetësuese, Hasani: Po punojmë që 20% e naftës të jetë bio (Video)

Ndotja e madhe e ajrit në Kosovë ka bërë që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) të mendoj marrjen e hapave për të ulur nivelin e ndotjes së ajrit nga makinat që qarkullojnë në vendin tonë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani gjatë një interviste për Telegrafin ka thënë se nga marrja e mandatit është angazhuar që në treg të ketë naftë cilësore.

“Ndotja e ajrit na ka shqetësuar dhe e kemi një ide që 20 për qind e naftës që hynë të jetë bio. Por ende nuk e dimë se si do të zbatohet, sepse disa vende të rajonit dhe të Bashkimit Evropian e kanë me Ligj që 20 për qind e naftës të jetë bio që të mos ndotet ambienti”, tha ai.


Shefi i MTI-së thotë se nëse ka bazë ligjore, atëherë vendimi mund të pritet së shpejti.

“Në rast se kemi bazë ligjore që ta vendosim një masë të tillë, e cila mund të jetë një masë e përkohshme. Por si ministri këtë masë duhet ta mbështesim edhe në Ligjin për derivate të naftës. Marrja e këtyre masave është edhe obligim me rregullat e BE-së. Por do të mendojmë që të vendosim një masë të përkohshme për ta kaluar këtë gjendje apo të kontribuojmë sado pak në zvogëlimin e ndotjes së ajrit”, ka thënë ministri Bajram Hasani.

Por me idenë e ministrit Hasani, nuk pajtohen naftëtarët të cilët thonë se kjo nuk mund të aplikohet në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë për Telegrafin se ideja e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë është e dëmshme.

“Nuk kemi kapacitete, por nuk ka as sasi nga do të mund të furnizohemi nëse merret një vendim i tillë që 20 për qind e naftës të jetë biodisel. Mund të ketë rritje të çmimit të derivateve të naftës në pikat shitëse, e më ketë dëmtohen konsumatorët”, tha Berjani.

Ndryshe sot në Prishtinë është protestuar kundër ndotjes së ajrit, që ka arritur nivele shqetësuese. /Telegrafi/