Një tjetër vatër zjarri është raportuar mbrëmjen e kësaj të hëne, më 11 gusht, në kodrat e Selitës në Tiranë, duke ngritur alarmin për rrezik të përhapjes së flakëve në zonat e banuara. Dhe kjo nuk është vatra e vetme në kryeqytet.

Në fakt, rreth 10 vatra aktive ka patur të raportuara gjatë ditës së sotme në Tiranë, ku momentalisht situata më e vështirë duket tek vatrat në faqe të malit në Fortuzaj.


Në Fortuzaj, në malin që ndodhet pas nesh janë vatrat e zjarrit që janë aktive. Kemi disa minivatra të shpërndara në faqen e malit, që janë sipër banesave që dallohen edhe me sy të lirë. Mund të jenë rreth 20 banesa që mund të rrezikohen në afërsi të zonës së Sharrës, jo shumë larg nga Kodra e Selitës, ku është një tjetër vatër që rrezikon banesat.  Ka disa orë që është ndezur kjo vatër zjarri, ku siç duket po digjet bimësi dhe shkurre dhe rrezikon të afrohet tek banesat, raporton Tv Klan.

Disa vatra të tjera janë raportuar edhe në zonën e Petrelës, në Malin e Bërzhitës, në afërsi të zonës së Arbanës, ku sipas ministrisë së Mbrojtjes ka patur ndërhyrje të forcave zjarrfikësve. Në Arbanë po ashtu ka patur edhe ndërhyrjen e një helikopteri Canadair kroat.

Ndërkohë gazetari Bajraktaraj gjatë raportimit shtoi se “Në Zall-Herr është bërë e mundur dhe shuarja e flakëve, ku flakët kanë rrezikuar disa banesa

Zjarret e këtyre ditëve, të nxitura nga temperaturat e larta dhe thatësira, po përbëjnë një sfidë serioze për strukturat e emergjencës në të gjithë vendin. Kujtojmë se situata me zjarret paraqitet më problematike kryesisht në jug të vendit, konkretisht në qarkun e Vlorës.

Në ndihmë të operacioneve të shuarjes së zjarreve janë angazhuar avionë dhe helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare, si edhe mjete ajrore nga Kroacia, Greqia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Autoritetet paralajmërojnë se për shkak të temperaturave të larta rreziku për zjarre mbetet i lartë dhe kërkohet kujdes maksimal nga qytetarët.