Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se ndihma humanitare e ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për popullin e Gazës ka mbërritur në destinacion dhe ka filluar menjëherë shpërndarja e saj.

“Dje pasdite morëm konfirmimin se ndihma humanitare e ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës ka mbërritur në Gaza dhe menjëherë ka nisur shpërndarja për familjet në nevojë, përmes partnerëve humanitarë në terren”, ka shkruar Gërvalla.


Sipas saj, dërgesa humanitare është në vlerë prej 500 mijë euro dhe përfshin tenda, pako ushqimore, batanije si dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë.

“E dimë që asgjë nuk e zëvendëson humbjen dhe dhimbjen atje. Por shpresojmë që kjo ndihmë modeste t’u japë sadopak mbështetje e lehtësim familjeve, sidomos fëmijëve dhe të moshuarve, në ditë kur edhe gjërat më bazike mungojnë”, ka theksuar ajo.

Gërvalla ka shprehur gjithashtu mirënjohje për bashkëpunimin ndërkombëtar që e bëri të mundur këtë operacion humanitar.

“Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe mbështetjen që e bënë të mundur këtë operacion humanitar”, ka përfunduar Gërvalla. /Telegrafi/