NDI organizon DISICON 9 mbi zgjedhjet, inteligjencën artificiale dhe etikën

Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë organizon edicionin e nëntë të Konferencës për Integritetin e Informacionit, DISICON 9, me temën e përgjithshme “Zgjedhjet, Inteligjenca Artificiale dhe Etika”.
Ngjarja do të zhvillohet më 8–9 dhjetor 2025, në Klan Arena, Prishtinë.
Ky edicion do të përqendrohet në mësimet nga zgjedhjet e vitit 2025 në Kosovë, duke shqyrtuar ndikimin e dezinformatave me bazë gjinore dhe dhunës online ndaj grave në politikë.

Gjatë konferencës do të prezantohet hulumtimi i ri “UnSocial Media 2”, si dhe do të zhvillohen diskutime me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë mbi çrregullimin e informacionit dhe përfaqësimin e grave në jetën publike.
DISICON 9 do të përpilojë gjithashtu mjete praktike, duke përfshirë Udhëzuesin për Gratë në Politikë mbi Kërcënimet Digjitale, Udhëzime për Gazetarët mbi Mbulimin Mediatik të Grave në Jetën Publike, si dhe trajnime për luftimin e çrregullimeve të informacionit.
Ngjarja do të eksplorojë rolin e inteligjencës artificiale në demokraci, duke analizuar si mund të fuqizojë pjesëmarrjen e grave në jetën publike, por edhe të rrezikojë të drejtat e tyre përmes dezinformimit dhe dhunës online.

Me pjesëmarrjen e ekspertëve vendor dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve të Big Tech, DISICON 9 synon të nxjerrë rezultate të zbatueshme dhe praktike, që do të shërbejnë si pikë referimi rajonale për integritetin e informacionit dhe qëndrueshmërinë demokratike në epokën digjitale.
Përmes këtyre aktiviteteve, konferenca synon të nxisë bashkëpunimin rajonal, të forcojë qëndrueshmërinë digjitale dhe të promovojë një qasje etike dhe gjithëpërfshirëse për luftimin e çrregullimeve të informacionit dhe mbrojtjen e demokracisë në Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/


















































