“Ndeshja me Arsenalin e vendos titullin”, Jeremy Doku i paralajmëron londinezët

Jeremy Doku nuk ka asnjë dyshim për rëndësinë e përballjes së ardhshme mes Manchester Cityt dhe Arsenalit, duke e cilësuar atë si një ndeshje që mund të vendosë fatin e titullit.
Sulmuesi belg ishte një nga protagonistët në fitoren ndaj Chelseat, ku realizoi së bashku me Nico O’Reilly dhe Marc Guehi, teksa City shpërtheu në pjesën e dytë pas një fillimi të kujdesshëm.
Kjo fitore e afroi skuadrën e Pep Guardiolës në vetëm gjashtë pikë nga Arsenali kryesues, i cili u befasua në shtëpi me humbjen 2-1 ndaj Bournemouth.
City ka ende një ndeshje më pak të zhvilluar, por përpara kësaj, dy rivalët do të përballen në një duel të madh në “Etihad Stadium” javën e ardhshme.

Duke folur për Sky Sports pas ndeshjes, Doku theksoi fokusin maksimal të skuadrës.
“Së pari duhet të rikuperohemi, pastaj do të analizojmë sërish Arsenalin. Do të shoh çfarë detyre do të kem, si dhe pikat e forta dhe të dobëta të tyre”.
“Më pas duhet të besojmë; e kemi bërë edhe më parë. Ata do të vijnë me uri, nuk duan të na japin asgjë, kështu që ne duhet ta marrim. Më beso, do të jemi të përgatitur mirë”.
I pyetur nëse kjo është një ndeshje që vendos titullin, Doku nuk hezitoi: “Mendoj se po. Kanë mbetur edhe gjashtë ose shtatë ndeshje. Nëse e fitojmë këtë takim, është një goditje e madhe ndaj tyre”.
“Nëse humbim, gjithçka mbetet në duart e tyre dhe duhet të presim që ata të gabojnë. Por nëse fitojmë, gjithçka është në duart tona. Unë preferoj ta kemi ne në dorë!”./Telegrafi/





















































