Ndërpritet seanca e 51-të e Kuvendit të Kosovës

Seanca e 51-të e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sot, pa arritur sërish konstituimin e plotë të legjislaturës duke e vazhduar bllokadën institucionale që po zgjat prej javësh.
Pas një debati mes kryesuesit të seancës Avni Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, seanca u ndërpre pa u proceduar në votim Komisioni për votim të fshehtë.
Që nga mbajtja e seancës së parë më 15 prill, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ende të konstituohet, duke e lënë vendin pa funksionim të rregullt institucional për më shumë se tre muaj.
Ndërkaq, seanca e radhës pritet të mbahet më 25.07.2025 në orë 11:00.
Ndryshe, kanë mbetur edhe pak ditë deri te përfundimi i afatit kushtetues, ku Gjykata Kushtetuese më 26 qershor i kishte dhënë 30 ditë për përfundimin e seancës konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.
Gjykata ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës.
Po ashtu, Gjykata ka vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo nënkupton se palët politike kanë tashmë një afat të përcaktuar dhe një orientim më të qartë për të zgjidhur bllokadën dhe për të formuar organet drejtuese të Kuvendit në përputhje me rendin kushtetues, që i bie 26 korrik 2025. /Telegrafi/




















































