Komuna e Prishtinës sot ka bërë kërkesë në Thesar që t’u bëhet alokim i parakohshëm i 1/12-tës së buxhetit të paraparë për muajin dhjetor.

Kështu tha përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.


Sipas tij, buxhetin që do duhej të shpenzohet në dhjetor, ta kenë mundësinë ta shpenzojnë më herët në muajin nëntor, me qëllim që të paguajnë disa prej faturave që janë grumbulluar, përfshi edhe ato të energjisë elektrike.

“Megjithëse kjo nuk e zgjidh problemin por vetëm e vonon, sepse pastaj dhjetori mbetet pa buxhet, marrë parasysh situatën Thesari do të bëjë këtë alokim të parakohshëm në mënyrë që një pjesë e faturave të paguhen tash”, ka thënë Murati.

Tutje ai ka shkruar se zgjidhja e problemit do të ishte nëse të mërkurën LDK-ja do ta votonte së paku buxhetin e Prishtinës, dhe pastaj fare s’do të kishte nevojë për këso improvizime.

“Mirëpo në vend të zgjidhjes, Lumir Abdixhiku me LDK-në vendosën të mos vinin fare në seancë pardje. Për më keq, dje tentuan që të keqpërdorin edhe prindërit e fëmijëve në çerdhe duke u munduar që t’ia hedhin fajin Ministrisë së Financave, për buxhetin të cilin vetë LDK-ja nuk e votoi”, ka shkruar Murati në Facebook. /Telegrafi/