Murati: LVV zhbllokoi të hyrat vetanake në Prishtinë, atë që LDK s’e bëri në Kuvendin e Kosovës

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas votimit të bartjes së të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke theksuar se këtë hap e kanë mundësuar asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Murati tha se Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal ka bërë atë që, sipas tij, nuk u realizua nga Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvendin e Kosovës.
“Sot, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje e votuan bartjen e të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Pra, atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e bëri Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, për të zhbllokuar pagesat për shërbimet esenciale publike,” shkroi Murati.
Ai shtoi se për Lëvizjen Vetëvendosje, interesat e qytetarëve mbeten prioritet i vazhdueshëm.
“Siç është vërtetuar tash e sa herë, për Lëvizjen Vetëvendosje interesat e qytetarëve çdoherë kanë prioritet,” theksoi ai./Telegrafi/


































