Kapiteni Amir Rrahmani do të mungojë në ndeshjen e Kosovës ndaj Suedisë, duke shtuar sfidat për përzgjedhësin Franco Foda.

Rrahmani pësoi një lëndim në ndeshjen e së premtes ndaj Zvicrës në Basel, dhe mungesa e tij do të ndihet thellë në mbrojtjen e “Dardanëve”.


Megjithatë, Foda shprehet i qetë për zgjedhjet që ka në dispozicion dhe beson që do ta zëvendësojnë kapitenin denjësisht.

“Amir Rrahmani është një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit. Mungojnë gjithashtu Rashica, Hadërgjonaj dhe Zhegrova, por kemi mjaftueshëm mbrojtës për ta zëvendësuar kapitenin dhe për të mbajtur stabil ekipin”, deklaroi ai.

Përzgjedhësi ka analizuar me kujdes ndeshjen ndaj Suedisë dhe theksoi cilësinë e lojtarëve suedezë, veçanërisht në fazën sulmuese. Ai pranon se Suedia është favorite, por shton se mënyra se si Kosova do të paraqitet në këtë ndeshje mund të bëjë ndryshimin.

Me mungesën e kapitenit dhe disa lojtarëve kyç, sfida ndaj Suedisë duket intensive, por Foda mbetet optimist për strategjitë dhe zgjidhjet e mundshme që do të vendosen në fushë.

Kosova dhe Suedia do të përballen të hënën në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, dhe sfida pritet të jetë vendimtare për vazhdimësinë e rrugëtimit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app