Fiona Sturges në bashkëbisedim me Moon Unit Zappan / The Independent (titulli: Moon Unit Zappa on her childhood with dad Frank, groupies and guns: ‘I was primed for subservience’)
Përkthimi: Telegrafi.com

Fama erdhi herët për Moon Unit Zappan, vajzën më të madhe të muzikantit legjendar Frank Zappa dhe bashkëshortes së tij, Gail - edhe pse jo me dëshirën e saj. Emri i saj i pazakontë, i shpikur nga babai - ku “Unit” [Njësi] supozohej se simbolizonte lidhjen familjare - bëri që të gjithë ta njihnin që në foshnjëri. Vitet e adoleshencës sollën një valë të re fame, të cilën, siç thekson ajo, “po ashtu nuk e kisha kërkuar”. Një moment i rrallë dhe spontan me të atin në studion e tij shtëpiake, gjatë të cilit ai e incizoi duke folur me theksin e ekzagjeruar të adoleshentes kaliforniane - “Është, si të them, e pakëndshme deri në maksimum”! - u bë thelbi i këngës së pazakontë, Valley Girl. E publikuar në vitin 1982, u bë hiti më i madh i Frankut dhe e shtyu Moonan - atëherë një 14-vjeçare me akne dhe tepër e turpshme - drejt dritës së fortë të famës, të cilën kurrë nuk e kishte kërkuar.


Në kujtimet e saj, Earth to Moon, ajo përshkruan paraqitjet me Frankun në emisione televizive, përfshirë [programin] “Late Night with David Letterman”, ku mësoi shpejt se disa tregime nxirrnin “reagime të mëdha. Si ai për adhuruesen [groupie] nga Zelanda e Re që u shpërngul [në shtëpinë tonë] ... ose historia e prindërimit jo të zakonshëm, kur Gail më lidhi këmbë për këmbë me [vëllain më të vogël] Dweezil, incizoi zënkën tonë dhe na e lëshoi ta dëgjonim”. Ishte, thotë ajo tani, “një kohë konfuze”.

Moon, tani 57 vjeçe, flet përmes Zoom-it nga dhoma e saj e ndenjjes në Los Anxhelos. Është një bashkëbiseduese e shkëlqyer: e hapur, e artikuluar dhe e gatshme për të qeshur. Gjatë bisedës njëorëshe ajo lëviz mes një toni ironik dhe zemërimit të ndjeshëm për mënyrën se si u trajtua nga prindërit narcisistë (përveç Dweezilit, ajo ka edhe një vëlla dhe një motër: Ahmetin dhe Divan). Libri i saj, që këtë muaj del në versionin me kopertinë të butë, është një rrëfim rritjeje - sa tronditës, ashtu edhe çuditërisht qesharak - teksa përshkruan jetën në shtëpinë e tyre në Lorel-Kanjon [Laurel Canyon], një vend që ishte gjithmonë në ndërtim, rrallë i pastruar dhe me një pikturë orgjie në dhomën e ndenjjes.

Nga fëmijëria mësojmë se për Moonan ajo ishte një periudhë e ankthit të thellë dhe e trazirave - dhe emri i saj ishte ndoshta shqetësimi më i vogël. (Edhe pse ajo thotë se emrat e pazakontë të Elon Muskut për fëmijët, si X Æ A-Xii, i kanë shkaktuar “bezdi”.) Si më e madhja nga fëmijët, ajo ishte njëkohësisht e lënduar nga mungesa e interesit të të atit për fëmijët dhe peng i gjendjeve të paparashikueshme emocionale të nënës. Kujton një natë kur Frank e zgjoi dhe i tha: “Gail është në krizë. Duhet të fshehësh armën”.

Dhe, kështu, edhe pse procesi i shkrimit ishte ndonjëherë çlirues, ai ishte gjithashtu i dhimbshëm, pasi hapi plagë të vjetra. “Duhej të kujtoja se po lindja një version të ri të vetes teksa po përjetoja sërish përvojat më të këqija të jetës sime”, reflekton Moon. “Në disa momente ndihesha sikur po bija në një zbrazëti”. Madje, edhe promovimi i librit sjell emocione të përziera. “Kam marrë pjesë në aktivitete, dhe njerëzit shfaqin këtë zemërim në emrin tim, dhe është sikur një valë emocionesh më godet sërish. Ti kalon jetën duke hedhur një hap pas tjetrit, dhe pastaj dikush të thotë: ‘Jam shumë i shqetësuar për ty’. Dhe, pastaj mendon: ‘O Zot, paska qenë edhe më keq sesa e kujtoja’”.

Njësia familjare: Emri i pazakontë u shpik nga i ati dhe supozohej të përfaqësonte lidhjen e tyre familjare (Randall Slavin)

Një rebel i njohur në muzikë, Frank Zappa fitoi famë në fillim të viteve ’60 [të shekullit XX], pas një paraqitjeje në [programin] “The Steve Allen Show”, ku luajti në një biçikletë si instrument muzikor. Më vonë, ai ndërthurte xhazin kompleks dhe elementët klasikë me rrëfime surreale në këngët kult si Don’t Eat the Yellow Snow dhe Bobby Brown - kjo e fundit për një misogjin krenar që përfytyron përdhunimin e një nxitëseje të tifozëve. Franku ishte punëtor i pashërueshëm, siç e pranonte vetë, dhe publikoi 62 albume gjatë jetës - vdiq nga kanceri në pankreas në vitin 1993, në moshën 52-vjeçare - dhe frymëzoi përkushtimin e zjarrtë të adhuruesve që e shihnin si një gjeni krijues. Kur nuk ishte në turne me grupin The Mothers of Invention, ai mbyllej në studion e tij në shtëpi dhe qëllimisht mbante familjen në distancë.

Përmendja e fjalës me “Gj” [gjeni] nxjerr një reagim përçmues nga Moon. “Ekziston kjo dikotomi e çuditshme mes faktit që babai im quhej gjeni dhe faktit që nuk ia ndiente fare nëse [fëmijët e tij] nuk dinin si funksionon [jeta] përditshmëria. Nuk investoi në arsimimin apo të ardhmen tonë. Nuk na pyeti kurrë: ‘Si jeni’? Kjo më duket e papranueshme. Nëse ky është përkufizimi i gjeniut, atëherë, ëh! Jo, faleminderit”! Megjithatë, Moon e pranon karizmën e të atit dhe e kupton tërheqjen që ai kishte për ata që nuk vareshin prej tij. “Për ta, ai përfaqësonte lirinë, integritetin, ndërgjegjen qytetare dhe guximin për të folur kundër padrejtësisë. Ai u fliste të margjinalizuarve dhe të çuditshmëve. E kam vëzhguar këtë, dhe e kam parë sa domethënës ishte për njerëzit. Dhe, ata janë ende të shfrenuar - ata që e duan, e duan përgjithmonë”.

Ndër të përkushtuarit ishte edhe Gail, ish-modele që bëri një përpjekje të shkurtër në muzikë me një parodi të [duetit] Sonny and Cher të titulluar Bunny and Bear, dhe që e njohu Zappan ndërsa punonte si sekretare në klubin e famshëm të Los Anxhelosit, “Whiskey a Go Go”. Gail refuzoi ta linte burrin e saj, pavarësisht zemërimit ndaj pabesive të tij të shpeshta dhe të hapura. Përveçse sillte të dashura në shtëpinë familjare, Frank një herë mori Moonan dhe Dweezilin në një udhëtim në Nju-Jork, në adoleshencën e hershme, për të parë shfaqjen muzikore Cats. Pas shfaqjes, ai i la fëmijët në një hotel me shërbim në dhomë dhe u zhduk. Më vonë atë natë, Moon u zgjua nga një zhurmë e fortë në dhomën ngjitur: ishte i ati duke bërë seks me një prej balerinave të shfaqjes. “Ironia është”, thotë Moon, “ai e tradhtonte Gailan dhe i thoshte: ‘Unë gjithmonë kthehem te ju [të gjithë]. Ato nuk kanë rëndësi për mua’. Por, si fëmijë, unë e interpretoja kështu: ‘Unë preferoj të kaloj kohë me njerëz që nuk më interesojnë sesa me ty, fëmijën tim’. Truri im më thoshte: unë vlej më pak se gjëja që ‘nuk ka rëndësi’”.

Nuk është për t’u çuditur që, kur Moon arriti në mesin e adoleshencës, ishte e vendosur të largohej nga shtëpia. Në moshën 17-vjeçare, me paratë që kishte fituar nga Valley Girl dhe punët e rastësishme në aktrim që pasuan (karriera e saj përfshin serialin kriminal CHiPs dhe komedinë The Facts of Life), ajo bleu shtëpinë e saj të parë. Pasi u vendos atje, kujton: “Fjalë për fjalë u shtriva në dysheme dhe shikoja tavanin, sepse u largova, por nuk e dija çfarë të bëja me veten. Ishte sikur të kisha bërë burg për diçka që nuk kisha kryer dhe pastaj, kur lirohesh, nuk di si të jetosh në botë”. Ajo kërkoi udhëzim nga një guru shpirtëror, meqë “isha e përgatitur për nënshtrim. Më kishin trajnuar të mos kërkoja asgjë dhe të isha askushi. Falë Zotit që nuk më lejoi të prisja flokët, të bëhesha e tërhequr nga jeta [renunciante] dhe të shpërngulesha në Indi. Ajo më tha: ‘Ti i përket kësaj bote’”.

Frank Zappa dhe vajza Moon Unit jashtë studios “Warner Bros” në Kaliforni (Jeffrey Mayer/WireImage/Getty)

Gjithsesi, pavarësia e Moonas zgjati pak. Jo shumë kohë pasi Frank u diagnostikua me kancer në vitin 1990, Gail e vizitoi dhe i tha: “Na ke kushtuar 200 mijë dollarë për të të rritur, kështu që duhet të shesim shtëpinë tënde për të paguar trajtimin e kancerit të babait, sepse ai nuk ka sigurim shëndetësor”. Si vajza gjithmonë e bindur, Moon e shiti shtëpinë dhe u kthye të jetonte në shtëpinë familjare.

Pas vdekjes së Frankut, ajo filloi ngadalë të gjente rrugën e saj në botën e punës, duke krijuar art, duke vazhduar aktrimin dhe duke shkruar një roman gjysmë-autobiografik, America the Beautiful, në vitin 2001. Vitin pasues, Moon u martua me [muzikantin] Paul Doucette nga grupi Matchbox Twenty dhe atyre u lindi një vajzë, Mathilda (Moon dhe bashkëshorti u divorcuan në vitin 2014). Të qenit nënë e bëri të kuptonte se sa pak ishte kujdesur nëna për të. “Ishte si të thuash: ‘Ueh, po krijoja një jetë nga një vend ku nuk kam asnjë hartë. Nuk më kanë mësuar si ta bëj këtë’. Dhe, kështu, plaga u prek sërish, sepse nuk mund të mos mendoja: ‘Askush nuk e bëri këtë për mua’”.

E pyetur pse priti kaq gjatë për të shkruar për prindërit e saj, ajo përgjigjet: “Sepse gjithmonë mendoja se ishte historia e Gailas ajo që duhej rrëfyer. Gail e donte muzikën. Gail e zgjodhi babanë tim [si partner] dhe jetoi me të”. Por, pastaj ajo ndryshoi mendim - pjesërisht sepse “u bë e qartë që njerëzit kishin interes të dinin si ishte të ishe vajza e tij”, por më së shumti për shkak të testamentit famëkeq të nënës së saj.

Portret i përsosur: Zappa pozon për një foto me vajzën Moon Unit, në shkurt të vitit 1968 (Getty)

Në vitin 2015, Gail vdiq nga kanceri në mushkëri, duke lënë pas një borxh të madh - ashtu si i shoqi. Ajo gjithashtu la pjesën më të madhe të pasurisë së Zappas për fëmijët më të vegjël, duke ua dhënë Divas dhe Ahmetit nga 30 për qind secilit, dhe Dweezilit e Moonas nga 20 për qind. Kjo i vuri të rinjtë në krye të çdo çështjeje që lidhej me Frankun, që do të thotë se ata marrin vendimet për trashëgiminë dhe për fondin e tij dhe përfitojnë më shumë nga fitimet e ardhshme (kjo pavarësisht faktit që Moon ishte kujdesur për nënën në vitin e saj të fundit). Pasoi një dekadë betejash mes fëmijëve Zappa, shpesh me përfshirjen e avokatëve. Moon që atëherë ka kuptuar se nëna e saj “ia kishte bërë një nder” - “edhe pse nuk e falënderoj për të”. Në vend që të merrej me menaxhimin e biznesit familjar, ajo ka kaluar vitet e fundit duke ushqyer talentet e saj dhe karrierën personale. “Kjo ishte, fjalë për fjalë, ajo që më duhej që truri im kokëfortë të kuptonte: ‘Duhet të investosh në jetën tënde’. Ishte dilema ose të bëhesha viktimë e kësaj rrethane, ose të besoja te vetja”.

Dhe, si është marrëdhënia e saj me motrat dhe vëllezërit sot? “Epo, Ahmeti e lexoi librin dhe tha që i pëlqeu, kështu që kjo ishte diçka goxha e mirë. Dweezili për momentin nuk flet me asnjërin nga ne, por unë dhe Diva po bëjmë disa hapa të mirë përpara. Mendoj se një pjesë e kësaj vjen nga fakti që unë ndalova së shpresuari që këto marrëdhënie të jenë si ato që shihen në kartolinat e [kompanisë] ‘Hallmark’-ut. Thjesht, po i lë të jenë ashtu siç janë”. Aktualisht, Moon mban orë joge dhe meditimi dhe ka markën e saj të çajit. Ajo gjithashtu po shkruan një libër të ri. “Po i jap një shans letërsisë, sepse për herë të parë në jetën time jam në gjendje ta lë të kaluarën në të kaluarën”, thotë ajo, duke buzëqeshur. “Dhe e di çfarë? Është ndjesi e mirë”. /Telegrafi/