Investitori arab hoqi dorë nga ndërtimi në Ulqin?

Pronari i kompanive “Emaar Properties” dhe “Eagle Hills”, investitori Mohamed Alabar, ka deklaruar se ka gabuar kur është paraqitur në tenderin për plazhet në Ulqin, se aktualisht nuk ka asnjë projekt në Mal të Zi, dhe se, nëse ndodh ndonjë ndërtim i mundshëm, gjithçka do ta bëjë vetëm në përputhje me dëshirat e komunitetit lokal.
Duke folur në konferencën për zhvillimin e pasurive të paluajtshme RE:D në Podgoricë, Alabar theksoi se investimet janë të vështira dhe të rrezikshme, sikurse edhe hapja e një kafeneje, por se ai është i hapur për dialog dhe këshilla në çdo hap të procesit, transmeton Telegrafi.
Ai theksoi se ka gabuar më parë - si në Serbi, ashtu edhe në Shqipëri, ku, sipas tij, ka ndërtuar shumë shpejt. Sa i përket Ulqinit, tha se nuk është dashur të marrë pjesë fare në tenderin për dhënien me qira të plazheve, duke e quajtur atë një “ide të marrë”.
Sqaroi se kishte dashur të realizonte një projekt të një bari të bukur në plazh, por se vlerësimi financiar ishte i gabuar, dhe për pasojë kishte fituar papritur koncesionin për nëntë plazhe. Pas kësaj, ai vendosi t’i kthejë ato komunitetit lokal sepse, siç tha, nuk dëshiron të merret me atë lloj biznesi, raporton “Vijesti”.
“Nuk kam ndërmend të investoj në Mal të Zi, të gjithë mund të jenë të qetë. Nuk kam asnjë projekt këtu dhe dua që të gjithë të jenë të qetë. Aktualisht punoj në 18 vende dhe menaxhoj projekte me një vlerë totale prej 55 miliardë dollarësh”, tha Alabar. Ai shtoi se globalisht zotëron 90 hotele dhe se për kompanitë e tij punojnë rreth 200 mijë njerëz.
Megjithatë, ai tha se të gjitha idetë lidhur me Malin e Zi janë ende në fazë fillestare dhe se është i gatshëm të dëgjojë propozime të dobishme, por jo kritika pa kuptim. Ai prezantoi vizionin për zhvillimin e Malit të Zi, ku përfshihet edhe ideja për një fond sipërmarrës për të rinjtë, si dhe mundësi punësimi në kompaninë e tij “Noon”.
Nëse realizohen projekte konkrete, Alabar mendon se duhet ndërtuar parqe, kënde lojërash për fëmijë dhe një universitet teknologjik. Ai shtoi gjithashtu se një qendër konferencash mund të zgjaste sezonin turistik nga katër në tetë muaj, gjë që do të mundësonte vazhdimësinë në funksionimin e ekonomisë lokale.
Bizneset lokale dhe plazhet publike
Ai theksoi se dëshiron përfshirjen e bizneseve lokale në çdo projekt, duke përmendur se në kuadër të projektit “Beogradi mbi ujë” ka mbi 600 të tillë. Shtoi se është i gatshëm të ndërtojë edhe klube plazhi, restorante, objekte për strehim social, marinë ndërkombëtare dhe aeroport, nëse këto përputhen me nevojat e popullsisë lokale.
“Plazhet duhet të mbeten publike dhe t’u përkasin qytetarëve. Nëse investitori sheh një mundësi, duhet të marrë një pjesë të vogël të plazhit, në përputhje me dokumentacionin urbanistik, dhe të shohë nëse komuniteti përfiton prej saj. Nëse jo – duhet të heqë dorë menjëherë”, theksoi Alabar.
Ai sqaroi se fondet për projektet do të vinin nga banka të besueshme, pa spekulime me blerjen dhe shitjen e tokës. Kontratat duhet të përcaktojnë qartë se nëse nuk ndërtohet, toka i kthehet pronarit.
“Gjithçka duhet të kalojë përmes parlamentit. Nëse punojmë me partnerë lokalë, mund të vendosim bashkë çfarë dëshirojnë dhe çfarë jo. Ligjet lokale përcaktojnë lartësinë e ndërtesave dhe parametrat urbanistikë”, tha Alabar, duke shtuar se në disa vende gjysma e sipërfaqes duhet të parashikohet për kopshte – dhe se ai i respekton gjithmonë këto kërkesa.
Në Egjipt, sipas tij, ka ndërtuar një projekt në një sipërfaqe prej 4 milionë metrash katrorë me vlerë 400 milionë dollarë, dhe vlera e shtëpive u katërfishua. Në Marasi, pretendon se investoi 50 milionë për ndërtimin e një fushe lojërash për fëmijë, punësoi gjithsej 130 mijë punëtorë, pagoi 600 milionë dollarë në taksa, dhe konsumi i klientëve u rrit 11 herë.
Në Serbi, ai pohon se vlera e pasurive të paluajtshme rreth projektit “Beogradi mbi ujë” është rritur me 80 për qind që nga viti 2015, dhe aktualisht janë të punësuar 10500 persona. “Shtetit i paguajmë çdo ditë 200 mijë euro. Vlerësimet se paguajmë vetëm gjashtë milionë në vit janë qesharake”, shtoi ai.
"Më pëlqen Mali i Zi, por..."
Alabar tha se ka qenë dy herë në Mal të Zi dhe se qytetarët e njohin dhe e përshëndesin në rrugë.
Një kalimtar, sipas tij, i tha se nuk duhet të heqë dorë, diçka që ai e konsideroi si një mesazh të bukur. Ai e përshkroi Podgoricën si një qytet të bukur me kodra përreth.
Në fund, ai theksoi se nuk do të bëjë investime nëse nuk ka një ofertë cilësore, duke kujtuar se kontratat ndërkombëtare me vendet e BE-së janë subjekt i procedurave të Konventës së Vjenës.
Në rast investimi, ai propozoi krijimin e kompanive të përbashkëta me investitorët lokalë dhe një mbikëqyrje plotësisht transparente mbi tenderët dhe të gjitha procedurat përmes Këshillave Drejtues.
Alabar foli në një panel të dedikuar megaprojekteve dhe ndikimit të tyre në ekonominë lokale. /Telegrafi/





















































