Mirlind Daku shënon golin e nderit për Rubin Kazanin ndaj CSKA Moskës

Rubin Kazani ka pësuar humbje të thellë me rezultat 5-1 në udhëtim ndaj CSKA Moskës.
Kjo ndeshje i takoi javës së katërt në kuadër të elitës së futbollit rus dhe vendasit e fituan atë me lehtësi.
Ndonëse mysafirët e Rubin Kazanit ishin larg nivelit që pritej në këtë sfidë, e njëjta nuk vlen edhe për Dakun.
Sulmuesi shqiptar përkundër humbjes ishte mjaft aktiv në këtë ndeshje dhe pati një paraqitje të mirë në nivel personal.
Ai realizoi në minutën e 40-të të ndeshjes për të ngushtuar rezultatin në 3-1.
Ky ishte goli i katërt i Dakut në po aq ndeshje të zhvilluara, duke konfirmuar formën fantastike në këtë fillim të sezonit.
Sfidën e radhës Rubini do ta luajë në kuadër të Kupës së Rusisë, ku do të ballafaqohen në udhëtim ndaj Zenitit, para se të presin skuadrën e Rostov në shtëpi në kampionat./Telegrafi/




















































