Kanë kaluar vite prej kur kemi dëgjuar për herë të parë emrin e saj. Si një artiste shqiptare që vinte nga jashtë e ndiqnim me kërshërinë e asaj që sillte nga perëndimi

Në gjithë këto vite ajo jo vetëm nuk i zhgënjeu pritshmëritë që ngritëm për atë që Miriam Cani ishte, por mësuam ta ndiqnim në ekran, si këngëtare e trajnere për të gjetur te ajo shembullin e një artisteje që qëndron brenda kufijve të punëve cilësore.

Por e gjithë karriera dhe jeta e saj u shndërrua kur u bë nënë. Vetëm atëherë Miriami kuptoi që ishte më e plotë se kurrë. Para skenave të mëdha a këngëve të bukura tani ishte Ameli. Dhe ky, është një rrëfim prej nëne që tashmë pret fëmijën e dytë.

2019-ta i ka dhuruar jo pak ditë dhe arsye për të festuar. Artistja e dashur shqiptare ka shënjuar në kalendarin e jetës gjatë vitit që po lëmë pas – dasmën me partnerin, artistin e shumëkërkuar Alban Skënderaj; momente të paharruara artistike në recitalet e të shoqit; një këngë hit; suksesin si trajnere në “The Voice Kids” dhe si kurorë shtatzëninë e dytë.

Me një djalë që pritet të vijë, e angazhuar me punë në Tiranë dhe plot frymëzim për të ardhmen e afërt. Kur ka mbetur edhe shumë pak kohë para se familja e tyre të shtohet ajo tregon ekskluzivisht për “RevistaWho.Com” përjetimet e këtyre muajve, jetën familjare, angazhimet në Tiranë e Gjermani si dhe një surprizë, që zbulon 2020! Por mbi të gjitha ajo zbulon veten si nënë në një mënyrë kaq të thjeshtë e njëherësh kaq të vërtetë.

View this post on Instagram

A post shared by Miriam Cani (@miriamcani) on Dec 26, 2019 at 11:04am PST

Miriam, në pritje për t’u bërë nënë për herë të dytë. Një shtatzëni e dëshiruar apo rastësi?

Shumë e dëshiruar (buzëqesh).

Sa ndryshojnë emocionet e pritjes herën e dytë? Nuk ka më surpriza, pasiguri…apo jo?

Emocionet janë po aq të mëdha si herën e parë. Këtë herë presim një djalë ndaj dhe janë emocione të reja dhe të paprovuara më parë. Ndihemi të bekuar.

Jeni në pritje të një djali. Cili nga ju u gëzua më shumë për këtë lajm, ti apo Albani?

Të dy jemi lumturuar pa masë. Çfarë do që të ishte për ne është bekim dhe dhuratë e Zotit, por fakti që do kemi tani një vajzë dhe një djalë në shtëpi është një lumturi shumë e madhe dhe vërtet gjithçka që mund të ëndërronim. Për Albanin do bëhet pa diskutim një shok shumë i mirë ashtu siç është bërë shoqe Ameli tashmë për mua (buzëqesh).

A është Albani babai tipik shqiptar që donte patjetër një djalë?

Në fillim e kishte ndoshta më shumë ndërgjegje këtë dëshirë, por tani që ka provuar dashurinë e Amelisë e di të sigurt që nuk do ta imagjinonte dot më jetën pa të. Madje nuk imagjinon dot një djalë, sepse është magjepsur nga dashuria e vajzës. Ameli ka sjellë dritë në jetën tonë dhe ka qenë forca jonë në këto vite për të kaluar çdo vështirësi apo dhimbje. Çdokush që e ka provuar këtë ndjesi e di që gjithçka fillon e zbehet para fëmijës në jetë.

Cili nga ju e ka dashur më shumë një familje të madhe?

Të dy jemi njerëz shumë të dhënë pas familjes, sepse aty ti merr dashurinë e pastër dhe të vërtetë dhe vendos themelet për një të ardhme të qëndrueshme.

Po vajza si po e pret ardhjen e një vëllai?

Ameli është ende e vogël për të kuptuar qartë se çfarë po ndodh, por me aq sa kupton është shumë e lumtur dhe pyetja e përditshme e saj është: ‘O mamiiiiiii! A do dali sot bebi se ngeli gjithë kohës në bark’ (qesh).

Ndodh që fëmijët janë xhelozë kur familjes i shtohet një pjesëtar i ri. A e keni menduar, a po e përgatisni për këtë?

E mendojmë çdo ditë këtë pjesë. Do përpiqemi t’ia bëjmë sa më të lehtë Amelisë duke i dedikuar edhe saj gjithmonë kohën e vet. Por besoj se këtu ne prindërit duhet të bashkëpunojmë shumë mirë.

Në momentin që nëna pjesën më të madhe të kohës duhet t’i dedikohet foshnjës, babai duhet t’i qëndrojë sa më pranë fëmijës tjetër deri sa gjithçka të kthehet në normalitet dhe të vijë natyrshëm dhe jo si diçka e sforcuar.

A e keni menduar emrin e bebes? A keni pasur shumë alternativa dhe cili nga ju të dy e ka zgjedhur?

E kemi menduar! Nuk kemi patur shumë alternativa sepse ky emër erdhi në mënyrë shumë instinktive dhe ka një kuptim për ne dhe po ashtu edhe për bebin (buzëqesh). Kemi dhe disa opsione të tjerë, por ende i japim dhe pak kohë vetes për të vendosur plotësisht.

Dy fëmijë do të thotë angazhim maksimal. A mendon se përkushtimi i mëmësisë po të largon nga karriera?

E mendoj pjesërisht këtë gjë. Duke qenë se familja për mua vjen e para gjithçka tjetër do të vijë shumë natyrshëm. Mua nuk më pëlqejnë ekstremet. E vërteta është që në momentin kur jam bërë nënë e kam shijuar dhe punën time më shumë, sepse jam ndjerë e plotësuar në çdo aspekt. Puna dhe karriera nuk janë gjithçka dhe shpesh herë madje të bëjnë të ndihesh shumë bosh brenda vetes, sepse edhe pa dashur të përballin me një botë shumë artificiale dhe shpesh herë disi me negativitet, sidomos në ditët e sotme kur shumëçka vërtitet rreth aparencës. Pasi i isha dedikuar punës rreth 15 vite pa u ndalur erdhi një moment që nuk po më mbushte më shpirtërisht.

Tani kur kthehesh nga aktivitetet profesionale në shtëpi dhe pritesh me shumë dashuri nga familja jote kjo të jep një energji dhe motiv të jashtëzakonshëm për të vazhduar përpara. I jep kuptim gjithçkaje.

Unë shtatzëninë e dytë e kam kaluar shumë aktive në krahasim me të parën, ku ndjeva shumë fort dëshirën për t’u shkëputur për disa kohë dhe për t’i dedikuar kohë vetes time. Këtë herë kam patur një dëshirë të madhe për të lëvizur dhe punuar dhe nuk e kam ndjerë fare se si koha ka kaluar këto muaj.

Madje jam në “debat“ të vazhdueshëm me familjen e cila vazhdimisht më kërkon të pushoj dhe të mos mbingarkohem. Por besoj se këto ndjesi janë të brendshme dhe të drejtojnë në mënyrë shumë natyrale. Është një zë i brendshëm që të tregon shumë qartë se çfarë të bën mirë dhe çfarë jo dhe ky zë duhet dëgjuar gjithmonë për të qenë vërtet i lumtur.

Si do ta përkufizoje mëmësinë deri tani?

Është “vepra“ më e bukur dhe hyjnore e krijuar në trupin dhe jetën e një gruaje. Ameli tani ka mbushur 4 vjeç dhe unë ende e shoh çdo ditë plot befasi dhe me mirënjohje të madhe ndaj Zotit dhe jetës teksa ajo rritet dhe formohet, vazhdon të më duket si një ëndërr. Shkëmbejmë dashuri pa fund me të dhe asnjëherë nuk na mjafton. Fëmija është bekimi më i madh dhe koha jote fizike dhe shpirtërore është dhurata më e madhe që i bën fëmijës si prind. Prezenca jote si prind nuk zëvendësohet me asgjë tjetër që t’i mund t’i ofrosh.

Tanimë familja juaj është vendosur në Tiranë. Pse e latë Gjermaninë, do riktheheni atje?

Ne nuk e kemi lënë kurrë Gjermaninë (buzëqesh). Vazhdojmë kemi shtëpinë dhe familjen atje.

Për momentin jemi këtu duke qenë se projektet na kanë lidhur këtu, plus edhe me fëmijë është pak vështirë të udhëtosh shpesh. Ende nuk e dimë si do të vijë e ardhmja, por ndoshta një ditë do të rikthehemi për t’i dedikuar edhe më shumë kohë fëmijëve dhe aktiviteteve të tyre.

Si është një ditë e jotja në Tiranë?

Kryesisht e mbushur me punë. Nis herët duke qenë se Ameli është në kopsht. Më pas janë angazhimet e përditshme të shtëpisë dhe lëvizjet e ndryshme të punës vetëm ose me Albanin. Një periudhë të kohës jam marrë me televizion siç e dini. Tani kam dëshirë pa u sforcuar të prodhoj këngë të reja dhe ndoshta të zhvilloj ide të reja në fusha të tjera jashtë muzikës.

Sa e angazhuar je me aktualitetin, politikën, zhvillimet sociale?

Jam deri diku, aq sa koha na lejon. Por gjithsesi në mënyrë shumë private duke mos shkelur kurrë mbi parimet dhe idealet tona dhe të të tjerëve duke qenë se si artistë dëgjohemi dhe përfaqësojmë të gjithë.

Po me artin në Shqipëri?

Kjo është një temë shumë e gjerë. Unë përpiqem të jem aktive vetëm në projektet të cilat me bëjnë të ndihem në radhë të parë mirë dhe në paqe me veten. Nuk kam mundur kurrë të bëj kompromis me këtë pjesë për hir të suksesit. Kam preferuar gjithmonë të bëj pak gjëra por të përfaqësojnë atë çfarë unë ndjej dhe jam. S’dua kurrë të kthej kokën pas një dite dhe mos të ndihem mirë për atë çfarë kam bërë.

Është bërë pak e vështirë në këtë tranzicion të madh artistik dhe kulturor që po kalon Shqipëria, por unë gjithsesi vazhdoj të besoj fort tek produkti dhe arti i mirëfilltë dhe jam mëse e bindur që vetëm ai do mundet t’i rezistojë kohës.

A do të ketë edhe djali një këngë të dedikuar pasi të lindë?

Duke qenë se muzika është frymëzim besoj nuk do na mungojë as tek djali (buzëqesh). Gjithsesi, nuk po mendojmë tani. Rëndësi ka të vijë me shëndet e jetë, të tjerat ia lëmë kohës..

2019-ta juaj duket se ka pasur plot ngjarje për të festuar: dasma, projekte artistike, televizive, shtatzënia… Si do ta përkufizoje?

Ky vit ka qenë vërtet i mbushur plot emocione të forta. Më në fund u martuam (qesh). Ishte një ceremoni jo e zakontë, por shumë e veçantë dhe kuptimplotë për ne pasi u realizua në të njëjtin vend ku u fejuam disa vite më parë. Ishte akoma më emocionale pasi ishte dhe Ameli pjesë e këtij kurorëzimi.

Projektet artistike na dhuruan një gëzim shumë të madh pasi na vërtetuan edhe njëherë se nëse vërtet beson në diçka dhe i përkushtohesh asaj me shpirt, të tilla do të jenë edhe rezultatet. Koncerti i Prishtinës ishte një ëndërr. Po ashtu edhe ai i Tiranës.

“The Voice Kids” mbetet programi më i veçantë në zemrën dhe karrierën time dhe jam e lumtur që isha sërish pjesë e këtij formati. Kënga “Duamë” do mbetet një kujtim shumë i çmuar i familjes sonë.

Dhe bekimin më të madh, i cili ndodhet ende brenda meje po e presim me padurim. Mund të them që ky ka qenë një nga vitet më të bukura të jetës sime.