Projekt-kodi i Procedurës Penale sot ka marrë mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ministria e Drejtësisë njofton se ky Projekt-kod është produkt i një procesi të gjatë diskutimesh, duke marrë në konsideratë praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare.
“Në Projekt-kodin e Procedurës Penale përveç amendamenteve të shumta teknike, të cilat do ta bëjnë punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës më efikase dhe efektive, nga propozimet për ta ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duhet të vihet në pah se përpos gjykimit në mungesë i cili është në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias, është adresuar dhe çështja e suspendimit të zyrtarëve publik me rastin e ngritjes së aktakuzës për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe dhunës në familje”.
Po ashtu thuhet se janë përfshirë dispozita që ndërlidhen me çështjen e mungesës së kontrollit të vendimit të prokurorisë për hedhjen poshtë të kallëzimit penal përkatësisht mbylljes së hetimeve, tashmë këto vendime do të mund të ankimohen në Prokurorinë e Apelit.
“Një vëmendje të veçantë i është kushtuar të drejtave të palëve të dëmtuar apo viktimës, siç është e drejta për të marrë informata në lidhje me veprën penale, të drejtën për të marrë informata për ofrimin e ndihmës mjekësore, përkrahjes psikologjike, strehimit alternativ dhe çdo dispozite specifike të parashikuar në Projekt Kod, të drejtën për përfaqësim ligjor dhe ndihmë juridike; si dhe drejta për kompensim dhe rimbursim të shpenzimeve të bëra si rezultat i pjesëmarrjes së tij në procedurën penale; të drejtën për të kërkuar mbrojtje, duke përfshirë masat mbrojtëse siç parashikohet në këtë Projekt Kod; e drejta për të hyrë në shërbimet e ndihmës së viktimave, përfshirë Zyrën e Mbrojtjes dhe Ndihmës së Viktimave etj”.
Ndryshe, në seancën e sotme edhe Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave dhe ai për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, kanë marrë mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/