Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, premtoi se Izraeli “nuk do të lejojë” zbatimin e zgjidhjes me dy shtete.

Ai gjithshtu u bëri thirrje vendeve që duan ta shohin një shtet palestinez që “ta bëjnë këtë brenda territorit të tyre”.


“Shteti palestinez në zemër të tokës së Izraelit do të ishte vërtet një zgjidhje – por për ata që duan të na shkatërrojnë. Ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë”, tha Sa’ar gjatë një konference për media në Jerusalemin e pushtuar, raporton newsmax.

“Nëse vende të mëdha si Franca dhe Kanadaja duan të krijojnë një shtet palestinez brenda territorit të tyre, mund ta bëjnë – kanë shumë hapësirë. Por këtu, në tokën e Izraelit, kjo nuk do të ndodhë,” tha ministri izraelit.

Deklaratat e ministrit i referohen disa aleatëve perëndimorë, përfshirë Parisin dhe Otavën, që kohët e fundit kanë konfirmuar ose shpallur plane për të njohur shtetin palestinez muajin e ardhshëm, pjesërisht si mjet presioni ndaj Izraelit që të pranojë një armëpushim në Gazë, të përmirësojë kushtet humanitare atje dhe të punojë për një kornizë paqeje afatgjatë.

“Formimi i një shteti palestinez brenda kufijve të vitit 1967, me kryeqytet Jerusalemin Lindor – shumë afër këtu – do të vendoste qendrat izraelite të popullsisë në rrezik serioz dhe do ta kthente Izraelin në kufij të pambrojtur”, tha Sa’ar, duke argumentuar se “një hap i tillë do të ishte vetëvrasës”.

Në korrik, parlamenti izraelit, i njohur si Knesset, miratoi një propozim jodetyrues në favor të aneksimit të Bregut Perëndimor. /Telegrafi/