Ministria e Mjedisit hap konsultim publik për ndërtimin e Terminalit Doganor në Vërmicë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka njoftuar hapjen e konsultimit publik lidhur me kërkesën për kushte ndërtimore për projektin e ndërtimit të Terminalit Doganor – Vërmicë, në Komunën e Prizrenit.
Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa është dorëzuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – Dogana e Kosovës, me numër protokolli 7007/25, më datë 19 shtator 2025.
Projekti përfshin ndërtimin e terminalit doganor dhe infrastrukturës përcjellëse në disa parcela kadastrale që ndodhen në Zonën Kadastrale Vërmicë, Komuna e Prizrenit.
Parcela të përfshira në projekt janë: P-71813008-01687-1, -01688-2, -01688-3, -01690-0, -01691-0, -01692-1, -01692-2, -01692-3, -01693-0, -01694-0 dhe -01695-0.
Siç thuhet në njoftim, nga vlerësimet paraprake, shfrytëzimi i propozuar nuk pritet të gjenerojë ndotje të mjedisit apo zhurmë më të madhe se zona përreth, si dhe nuk parashihet ndërtim në zona të mbrojtura.



Ministria ka bërë të ditur se komentet dhe vërejtjet e publikut mund të dorëzohen deri më 31 dhjetor 2025, në adresën elektronike: dkp.mmph@rks-gov.net
Për informim të publikut, projekti kishte qenë më herët në njoftim publik më 29 korrik 2022, por për arsye teknike thuhet se nuk kishte mundur të realizohej.











































