Ministria e Jashtme reagon pas aktit tragjik në Graz të Austrisë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Austri, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një shkollë në qytetin Graz, kanë humbur jetën 11 persona.
Mes viktimave dyshohet të jetë edhe një vajzë me prejardhje nga Kosova.
MPJD njoftoi se përmes Ambasadës së Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente austriake lidhur me krimin e rëndë që ndodhi sot.
Sipas informacioneve zyrtare të pranuara nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) në Vjenë, si pasojë e të shtënave kanë humbur jetën 10 persona — gjashtë femra dhe katër meshkuj — përfshirë edhe autorin e dyshuar të sulmit, i cili dyshohet se ka kryer vetëvrasje brenda ambienteve të shkollës.
Policia Austriake deri më tani ka konfirmuar se në mesin e viktimave ndodhet vetëm një shtetas i huaj me origjinë nga Polonia, ndërsa të tjerët janë shtetas austriakë.
Po ashtu, sipas të dhënave zyrtare, nuk ka shtetas nga Kosova as në mesin e të plagosurve.
"Megjithatë, sipas burimeve jozyrtare, dyshohet se në mesin e viktimave mund të jetë edhe një e mitur me prejardhje nga Kosova, e identifikuar si L.B., e lindur në Austri në vitin 2010", thuhet në reagim.
Autoritetet austriake ende nuk kanë publikuar një listë zyrtare të plotë të viktimave, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe moshës së të përfshirëve.
MPJD tha se do të vazhdojë të përcjellë nga afër zhvillimet dhe do të informojë opinionin për çdo të re zyrtare.




















































