Teksti shkollor Gjeografia për klasën e shtatë me mësim në gjuhën shqipe ku u shtrembëruan fakte për Republikën e Kosovës do të korrigjohet, mirëpo në formën online.

Gjithashtu, nga Ministria e Arsimit thanë për "Alsat" se në tekstet e shtypura një korrigjim i tillë pritet të ndodhë në botimin e teksteve të radhës.


Zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu në reagimin me shkrim thekson se fëmijët meritojnë libra të saktë, profesionalë dhe të përditësuara sipas standardeve bashkëkohore duke shtuare që korrigjimet e nevojshme të bëhen pa vonesë.

“Në të njëjtën kohë, respektoj faktin, se hartimi, vlerësimi dhe miratimi i teksteve shkollore, është kompetencë profesionale e komisioneve dhe ekipeve të ekspertëve që janë angazhuar nga MASH për këtë qëllim. Nga informacionet që kam duket se bëhet fjalë për një gabim teknik (në përkthim) në procesin e përpilimit apo botimit të përmbajtjes. Për këtë arsye, kam kërkuar nga institucionet përgjegjëse, që të verifikojnë menjëherë situatën, të evidentojnë gabimin dhe të ndërmarrin korrigjimet e nevojshme pa vonesë”, tha Lulzim Aliu, zv. ministër i Arsimit.

Pas reagimeve për pasaktësi në tekstin e Gjeografisë, mësuesi Gani Ameti kërkon më shumë kujdes dhe përgjegjësi në përpilimin dhe përkthimin e tyre. Ameti u bën thirrje mësimdhënësve që të mos mjaftohen me atë që shkruhet në libër, por të korrigjojnë çdo pasaktësi për të mos i lënë fëmijët me informacione të shtrembëruara.

“Nuk është dashur të përmendet “Metohia” por Dukgjini, në këtë rast unë e shpjegoj Dukagjin ajo çka është e jona duhet ta themi ashtu siç është, sa nevojë të merremi me atë se a duhet ta pyes dikë ose jo kur është diçka që është fakt. Ne arsimtarët duhet të jemi pak të kujdesshëm në këto raste, të shpjegojmë atë që është realitet mos ta marrin fëmijët atë që është në libër dhe ti mbetet kujtim ajo se është “Metohi” apo “Gazivoda” e kështu me radhë. Mendoj se duhet të kemi qasje pak më të sinqertë për këto problematika”, u shpreh Gani Ameti, mësues i Gjeografisë.

Në tekstin e Gjeografisë për klasën VII, botuar nga “Trimaks” dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për Libra Mësimorë, janë vërejtur pasaktësi që, sipas mësimdhënësve, shtrembërojnë informacionin për Republikën e Kosovës. Në njësinë mësimore thuhet se Kosova “gjendet në jugperëndim të Serbisë”, formulim që kritikët e vlerësojnë si të njëanshëm dhe jo në përputhje me mënyrën se si përshkruhen shtetet e tjera të rajonit. Debate ka shkaktuar edhe përdorimi i termit “Metohia” në vend të “Rrafshit të Dukagjinit”, si dhe emërtimi “Mitrovica e Kosovës”dhe “Gazivoda” në vend të Mitrovica dhe Liqeni i Ujmanit, që mësimdhënësit i konsiderojnë terma të papërshtatshëm dhe të huazuar nga narrativet serbe./Alsat/