Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit tha të shtunën se beson që Afganistani dëshiron paqe, por se dështimi për të arritur një marrëveshje gjatë bisedimeve në Stamboll do të thotë "luftë e hapur", disa ditë pasi të dyja palët ranë dakord për një armëpushim pas përleshjeve vdekjeprurëse kufitare.

Bisedimet në Stamboll, të cilat filluan të shtunën dhe pritet të vazhdojnë deri të dielën, shënojnë përpjekjen e fundit nga Pakistani dhe Afganistani për të parandaluar një rikthim në dhunë pas luftimeve më të këqija kufitare që nga marrja e Kabulit nga talebanët në vitin 2021.


Bisedimet kanë për qëllim të hartojnë një mekanizëm për të zbatuar armëpushimin e Dohas në plan afatgjatë, transmeton Telegrafi.

Khawaja Muhammad Asif tha se nuk kishte pasur incidente në katër deri në pesë ditët që kur u ra dakord, dhe të dyja palët po i përmbaheshin armëpushimit.

"Ne kemi mundësinë, nëse nuk arrihet një marrëveshje, kemi një luftë të hapur me ta. Por pashë që ata duan paqe", shtoi ai.

Përleshjet shpërthyen në fillim të këtij muaji pasi Islamabadi kërkoi që talebanët të frenojnë militantët, që thonë se po sulmojnë Pakistanin nga strehat brenda Afganistanit.

Pakistani nisi sulme ajrore përtej kufirit dhe të dyja palët shkëmbyen zjarr të rëndë, duke vrarë dhjetëra persona dhe duke shkaktuar mbylljen e kalimeve kyçe që mbeten të mbyllura.

Islamabadi akuzon Kabulin se strehon militantë që synojnë forcat pakistaneze. Talebanët e hedhin poshtë akuzën dhe thonë se operacionet ushtarake të Pakistanit shkelin sovranitetin afgan. /Telegrafi/