Ministri Hoti krijon Komisionin e ankesave për vendimet e Inspektoratit të Punës

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar për themelimin e një komisioni të ri që do të merret me shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të Inspektoratit Qendror të Punës.
Sipas njoftimit vendimi për themelimin e Komisionit të Ankesave është marrë nga ministri Andin Hoti.
“Me qëllim të adresimit të çdo ankese ose paqartësie në raport me vendimet e Inspektoratit Qendror të Punës, sot Ministri Hoti ka marrë vendim për themelimin e Komisionit të Ankesave për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve përfundimtare të inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Punës”, thuhet në njoftim.
Nga kjo ministri bëhet e ditur se komisioni do të shqyrtojë ankesat që paraqiten nga qytetarët dhe palët e interesuara lidhur me vendimet e marra nga Inspektorati Qendror i Punës.
Në të njëjtën kohë, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore për të paraqitur ankesa brenda afateve të përcaktuara.
“Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare fton të gjithë qytetarët që në përputhje me ligjin dhe me afatet e parapara, ta shfrytëzojnë të drejtën për t’i adresuar ankesat në ministri”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/





















































