Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski sot promovoi platformën e re për monitorimin e projekteve të financuara nga Qeveria.
Micksoki tha se ky nuk është vetëm një sistem teknik. Ky është një hap përpara në kulturën politike, një hap në qeverisjen moderne dhe një mesazh i fortë se shteti që ne udhëheqim është i vendosur të jetë i hapur, i përgjegjshëm dhe të ofrojë një pasqyrë të plotë se ku përfundon çdo denarë i fondeve publike.

Ai tha se kjo Platformë simbolizon angazhimin tonë të qartë për integritet, ndershmëri dhe mbikëqyrje publike të të gjitha investimeve që bëjmë, pa përjashtim.


"Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, po krijojmë një sistem në të cilin çdo qytetar, çdo komunë, çdo gazetar, çdo përfaqësues i sektorit civil dhe çdo palë e interesuar relevante do të mund të ndjekë progresin e projekteve të financuara nga Qeveria në kohë reale, në mënyrë transparente dhe të saktë. Pikërisht kështu duhet të funksionojë një shtet evropian. Me këtë Platformë, po hapim punën e institucioneve dhe po krijojmë një kornizë të re besimi, ku publiku nuk pret përgjigje - por i ka ato para vetes.

Transparenca për ne nuk është një detyrim formal. Është një rregull thelbësor demokratik. Është baza e besimit. Baza e stabilitetit. Baza e politikave vërtet të përgjegjshme. Në një shoqëri që përballet me narrativa të rreme, dezinformime dhe manipulime çdo ditë, e vetmja përgjigje është - një shtet i hapur me të dhëna të hapura. Prandaj, kjo Platformë është në radhë të dytë një projekt teknologjik dhe në radhë të parë - një mesazh politik: nuk kemi asgjë për të fshehur, sepse punojmë me ndershmëri, transparencë dhe në interes të qytetarëve.

Është veçanërisht e rëndësishme që mediave, si një shtyllë e demokracisë, t'u jepet një mjet i fuqishëm. Me vetëm disa klikime, ata do të jenë në gjendje të gjurmojnë çdo projekt, çdo kontratë, çdo afat dhe çdo fazë të zbatimit. Kjo do të thotë mbështetje e vërtetë për gazetarinë investigative, llogaridhënien publike dhe pjesëmarrjen e informuar të qytetarëve. Asnjë projekt nuk është më "atje jashtë", i fshehur në labirintet institucionale. Tani është publik, i dukshëm dhe i verifikueshëm", theksoi kryeministri Hristijan Mickoski.