Futbollistët e Inter Miami morën një fitore të rëndësishme në ligën MLS, duke mposhtur FC Montreal me rezultatin 4:2 në stadiumin Chase.

Protagonistë të ndeshjes ishin sërish Lionel Messi dhe Luis Suarez, të cilët shpërthyen me kombinime dhe gola spektakolarë.


Rezultati u zhbllokua në minutën e 27-të nga Messi, i cili me një gjuajtje të fortë me të majtën mposhti portierin kundërshtar, duke e dërguar topin në këndin për 1-0.

Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat, ndërsa në minutën e 68-të, Messi depërtoi në zonë dhe me një pasim të zgjuar aktivizoi Suarezin, i cili nuk gaboi përballë portierit.

Vetëm tre minuta më vonë, Suarez përfitoi nga një pasiguri në mbrojtjen e Montrealit dhe realizoi edhe golin e tretë për Interin. Reagimi i miqve erdhi shpejt, me Sealy që shënoi për 3:1.

Në minutën e 87-të, Messi dhe Suarez treguan sërish lidhjen e tyre të shkëlqyer. Pas një kombinimi të shpejtë, Messi shënoi me një goditje elegante, duke vulosur fitoren me stil për 4:1.

Në kohën shtesë, Montreal arriti të shënojë edhe një herë me anë të Loturit, por ishte tepër vonë për të ndryshuar fatin e ndeshjes, që përfundoi me rezultatin 4:2 në favor të Inter Miami.

Pas kësaj fitoreje, Inter Miami ngjitet në vendin e gjashtë në tabelën e MLS, ndërsa Montreal mbetet në vendin e fundit. Në javën e ardhshme, Inter Miami do të presë Columbus Crew, ndërsa Montreal do të përballet me New England Revolution. /Telegrafi/

telegrafi sport app