Për katër dekada me radhë, Musli Pirkuqi hyri në klasë me të njëjtin besim: se çdo orë mësimi mund të hapë një derë të re në jetën e një nxënësi. Nga bankat e Shkollës Normale të Prizrenit deri te vitet e gjata të mësimdhënies në Opojë, rrugëtimi i tij është një histori përkushtimi ndaj dijes, sfidave të kohës dhe dashurisë për arsimin

Në Ditën e Mësuesit, më 7 Mars, kujtohen me respekt ata që jetën e tyre ia kushtuan arsimit dhe formimit të brezave. Një prej tyre është edhe Musli Pirkuqi nga Brezna e Opojës, një njeri i arsimit që për më shumë se katër dekada punoi në shkollë, fillimisht si mësues klase dhe më pas si profesor i edukatës qytetare dhe shëndetësore.


Rrugëtimi i tij nisi në fillim të viteve ’70 në shkollën fillore të Bellobradit dhe vazhdoi përmes viteve të përkushtimit, sfidave të kohës dhe dashurisë për librin e dijen. Në këtë bisedë për 7 Marsin ai kujton përvojat e një jete në shkollë dhe ndan mendimet e tij për rolin e mësimdhënësit në shoqëri.

Pas një jete të gjatë në shkollë, Musli Pirkuqi vazhdon të besojë se libri dhe dija mbeten udhërrëfyesit më të sigurt për jetën. Brezat që ka edukuar janë dëshmia më e mirë se puna e një njeriu të arsimit nuk përfundon me mbylljen e ditarit të klasës, por vazhdon të jetojë në kujtesën dhe në rrugëtimin e nxënësve të tij. Me këto kujtime dhe përvoja të një jete të tërë në arsim, ai rrëfen për vitet e kaluara në shkollë, sfidat e kohës dhe që e lidhi përherë me profesionin e arsimtarit.

Fillimi i rrugëtimit në arsim

Z. Pirkuqi, tashmë që zhurma e ziles së shkollës ka mbetur pas në kohë, cili është tingulli apo imazhi i parë që ju vjen ndërmend kur mendoni për 40 vitet tuaja në arsim?

Pas 40 vitesh të karrierës sime profesionale në arsim, tani që jam pensionuar, më mungon thuajse çdo gjë që lidhet me jetën e shkollës: gumëzhitja e nxënësve, tingulli i ziles, hyrja në klasë me ditar nën sqetull dhe shumë përjetime të tjera që e shoqërojnë jetën e një mësimdhënësi.

Rrugëtimi im në arsim nisi më 1 shtator 1971, pasi kisha përfunduar Shkollën Normale në Prizren, një institucion me traditë në përgatitjen e mësuesve. Atë ditë fillova punën në Shkollën Fillore “Sezai Surroi” në Bellobrad, në paralelen e ndarë fizike në fshatin Zym të Opojës. Aty punova për rreth dy dekada në klasat e kombinuara të ciklit fillor. Ishte një periudhë që kërkonte shumë sakrificë, por që më lidhi përjetësisht me këtë profesion.

Keni kaluar 20 vite si mësues klase dhe 20 si profesor i edukatës qytetare dhe shëndetësore. Kur ktheheni pas në kohë, a ndiheni më shumë si “prindi i parë” i fëmijëve që mësuan shkronjat, apo si “busulla” morale e të rinjve që morën rrugët e jetës?

Kur punoja me ciklin e ulët fillor (I–IV), sot kur kthehem në kujtime, shpesh më duket sikur kam qenë prindi i parë i nxënësve në bankat e shkollës. Në ato vite, puna me fëmijët kërkonte shumë durim dhe përkushtim, sepse kishte nxënës që me vështirësi përvetësonin shkronjat e para të alfabetit të gjuhës shqipe, si dhe veprimet themelore të matematikës.

Ndërkohë përpiqesha të vazhdoja edhe formimin tim profesional. Duke punuar njëkohësisht si mësues, vazhdova studimet me korrespondencë. Fillimisht përfundova Akademinë Pedagogjike dyvjeçare në Prizren, ndërsa më pas vazhdova studimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Degën e Pedagogjisë, ku në vitin 1985 mora titullin profesor i pedagogjisë. Ky formim më ndihmoi që përvoja e fituar në klasë të pasurohej edhe me përgatitje më të thellë pedagogjike.

Roli i mësuesit në jetën e nxënësve

Viktor Hugo ka thënë: “Ai që hap një derë shkolle, mbyll një burg.” Pas më shumë se katër dekadash në arsim, kur ktheni vështrimin pas, sa “dyer” mendoni se keni hapur për nxënësit tuaj në rrugën e dijes dhe të jetës?

Puna në arsim nuk matet me numra dhe as me vitet e kaluara në shkollë, por me gjurmën që lë në jetën e nxënësve. Ndoshta nuk mund të them saktësisht sa “dyer” janë hapur gjatë këtyre viteve, por sa herë që takoj ish-nxënës të mi që janë bërë njerëz të ndershëm, profesionistë të mirë dhe qytetarë të dobishëm për shoqërinë, atëherë ndiej se mundi i një jete nuk ka shkuar kot.

Në ato çaste kupton se kjo punë është shumë më tepër se një profesion. Ajo është një përpjekje e vazhdueshme për të ndezur te nxënësit për dijen, për librin dhe për vlerat njerëzore. Në këtë kuptim, ai që i përkushtohet arsimit nuk është vetëm përcjellës i njohurive, por edhe formues i brezave, që ndihmon të rinjtë të gjejnë drejtimin e tyre në jetë dhe të ndërtojnë të ardhmen e shoqërisë.

Edukata qytetare dhe ajo shëndetësore nuk janë thjesht lëndë, por udhëzues për jetën. A mendoni se sot nxënësit kanë më shumë nevojë për këshilla njerëzore sesa për njohuri teorike?

Gjatë viteve kur ligjëroja Edukatën Qytetare për nxënësit e ciklit të mesëm (V–IX), gjithmonë mendoja se kjo lëndë nuk duhet të jetë vetëm një program mësimor, por një mundësi për të formuar personalitetin e të rinjve. Për mua ishte shumë e rëndësishme që nxënësit të zhvillonin kulturë qytetare dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj shoqërisë.

Edhe sot mendoj se gjeneratat e reja kanë nevojë jo vetëm për njohuri teorike, por edhe për këshilla edukative dhe orientim njerëzor që i ndihmon të ndërtojnë karakterin dhe qëndrimin e tyre në shoqëri.

Sfida dhe përgjegjësi në kohë të vështira

Gjatë viteve të punës suaj keni folur shumë për rregullat, shtetin dhe përgjegjësinë. Sa e vështirë ishte të mbillnit frymën e qytetarisë në periudha sfiduese për shoqërinë tonë?

Gjatë karrierës sime 40-vjeçare në arsim jam përpjekur gjithmonë që, përveç dijes shkollore, të mbjell tek nxënësit ndjenjën e përgjegjësisë qytetare dhe patriotizmin kombëtar shqiptar. Kjo nuk ishte gjithmonë e lehtë, sepse kemi jetuar në një periudhë të vështirë nën regjimin e atëhershëm serbo-sllav.

Për shkak të presioneve politike dhe thirrjeve të shpeshta në biseda informative, në janar të vitit 1992 u detyrova të largohem nga vendi, duke marrë rrugën e mërgimit. Për rreth një dekadë jetova në vendet perëndimore, por lidhja me profesionin dhe me nxënësit e mi nuk u shkëput kurrë.

Mësimdhënësi i vërtetë nuk jep vetëm përgjigje, por nxit pyetje. Cila ka qenë pyetja më e vështirë apo më prekëse që ju ka bërë një nxënës gjatë karrierës suaj?

Gjatë viteve të mësimdhënies ka pasur momente kur nxënësit më bënin pyetje që kërkonin shumë kujdes në përgjigje. Disa prej tyre kishin edhe prapavijë politike, të nxitura nga prindër që ishin në shërbim të regjimit të atëhershëm.

Në situata të tilla duhej maturi dhe përgjegjësi, në mënyrë që nxënësve t’u shpjegohej drejt realiteti dhe të ruhej njëkohësisht fryma kombëtare dhe edukative në klasë.

Sot takoni ish-nxënësit tuaj që janë tashmë njerëz të formuar. Çfarë ndjesie ju jep kur dikush ju ndalon në rrugë dhe ju thotë: “Mësues, ende e mbaj mend atë që na ke thënë në klasë”?

Kam pasur dhe vazhdoj të kem shumë raste të tilla. Kur takoj ish-nxënësit e mi dhe bisedojmë për vitet e shkollës, ndiej një kënaqësi dhe respekt të veçantë. Shpesh kujtojmë sfidat, përvojat dhe momentet e bukura që kemi kaluar në shkollë.

Këto takime janë ndër shpërblimet më të mëdha për një mësimdhënës.

Shkolla mes traditës dhe teknologjisë

Nëse do të krahasonit shkumësin e fillimeve tuaja me teknologjinë që gjetët në fund të karrierës, a mendoni se mësimdhënësi ka mbetur po aq i rëndësishëm si model karakteri?

Në krahasim me metodat metodologjike të viteve të para të mësimdhënies, sot ka ndryshime të mëdha, sidomos në përdorimin e mjeteve teknologjike dhe digjitale në procesin mësimor.

Megjithatë, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, roli ynë mbetet i pazëvendësueshëm. Ai nuk është vetëm përcjellës i njohurive, por edhe udhërrëfyes i dijes dhe model karakteri për nxënësit.

Mësimdhënia është një profesion që kërkon shumë përkushtim. A ka pasur momente lodhjeje gjatë karrierës suaj dhe ku e gjenit forcën për t’u rikthyer çdo mëngjes në klasë?

Sigurisht që ka pasur lodhje. Në shumë vite më është dashur të udhëtoj rreth 14 kilometra çdo ditë për të arritur në shkollë, sepse në fshatin tim nuk kishte shkollë nëntëvjeçare.

Nuk ishte gjithmonë e lehtë, sidomos në dimrat e gjatë apo në ditët kur rruga dukej më e vështirë se zakonisht. Por çdo mëngjes më priste klasa dhe nxënësit e mi, dhe kjo ishte arsyeja më e fortë për të vazhduar.

Dashuria për profesionin dhe përgjegjësia ndaj nxënësve më jepnin gjithmonë forcë për t’u kthyer në shkollë dhe për të hyrë në klasë me të njëjtin përkushtim.

7 Marsi për një mësimdhënës në pension është një festë e kujtesës. Si e përjetoni sot këtë ditë?

Në të kaluarën nuk kemi pasur mundësi ta festonim lirshëm 7 Marsin për shkak të regjimit të atëhershëm. Në ato rrethana, shumë gjëra që lidhen me arsimin dhe me traditën tonë kombëtare nuk mund të shpreheshin hapur.

Sot, për fat të mirë, kjo ditë festohet me ceremoni të ndryshme nëpër shkolla, me programe artistike, orë letrare dhe aktivitete të tjera që i kushtohen mësuesit dhe arsimit. Për mua, 7 Marsi është një ditë që më rikthen shumë kujtime nga vitet e punës me nxënësit dhe nga përvojat e përjetuara në klasë.

Kujtimet që mbeten pas pensionimit

Çfarë ju mungon më shumë nga përditshmëria e shkollës?

Nga përditshmëria e shkollës më mungojnë shumë gjëra: nxënësit, kolegët, zilja e shkollës, rreshtimi i nxënësve në oborr, ekskursionet dhe aktivitetet e përbashkëta gjatë vitit shkollor.

Të gjitha këto janë kujtime që mbeten gjithmonë të gjalla në jetën e një mësimdhënësi, sepse shkolla nuk është vetëm vendi ku jepet mësim, por edhe një hapësirë ku krijohen lidhje njerëzore dhe përvoja që mbeten për gjithë jetën.

Nëse do t’i shkruanit një letër vetes suaj të re, atij që po hynte për herë të parë në klasë, çfarë do t’i thoshit?

Nëse do t’i shkruaja një letër vetes sime të re, atij që po hyn për herë të parë në klasë me ditarin nën sqetull dhe me pak emocion në zemër, do t’i thosha: mos u ngut vetëm me mësimin. Merr kohë për t’i njohur nxënësit e tu, për të kuptuar botën e tyre dhe për të ndjerë gëzimet e brengat që ata sjellin me vete në bankat e shkollës.

Mos harro se klasa nuk është vetëm vendi ku mësohen shkronjat dhe numrat, por edhe hapësira ku lind besimi, respekti dhe dashuria për dijen. Përpiqu të krijosh një atmosferë të qetë e të ngrohtë, ku çdo nxënës të ndihet i mirëpritur dhe i vlerësuar.

Kur arrin ta bësh këtë, nxënësit do ta presin orën e mësimit me dëshirë dhe me buzëqeshje. Atëherë do ta kuptosh se mësuesi nuk jep vetëm mësim, por mbjell dritë në zemrat e fëmijëve dhe hap rrugë për jetën e tyre.

telegrafi.com

Shumë edukatorë thonë se nxënësit i mbajnë ata të rinj në shpirt. A ndiheni edhe sot i tillë falë brezave që keni edukuar?

Falë brezave që kemi edukuar ndër vite, ata më mbajnë gjallë shpirtërisht dhe më japin një ndjenjë të veçantë kënaqësie dhe mirënjohjeje. Kur takoj ish-nxënësit e mi dhe shoh se janë bërë njerëz të mirë, profesionistë të përkushtuar dhe qytetarë të dobishëm për shoqërinë, ndiej një gëzim të veçantë.

Ndoshta edhe për këtë arsye përpiqem që çdo dy muaj të vizitoj shkollën ku kam dhënë mësim, sepse ajo mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe e kujtimeve të mia më të bukura.

Cili është mesazhi juaj për mësimdhënësit e sotëm?

Mesazhi im për mësimdhënësit e rinj është që t’i përkushtohen me ngulm punës së tyre në arsim, pa marrë parasysh kushtet objektive apo subjektive në të cilat punojnë. Ky profesion kërkon durim, përgjegjësi dhe dashuri për dijen dhe për nxënësin.

Arsimi nuk është vetëm një detyrë profesionale, por një mision që ndikon drejtpërdrejt në formimin e brezave të ardhshëm. Prandaj besoj se ai mbetet gjithmonë baza dhe themeli mbi të cilin ndërtohet një shtet i fortë dhe një shoqëri e shëndoshë.

Një letër për mësuesin e ri

Nëse jeta juaj profesionale do të ishte një libër, cili do të ishte titulli i tij?

Nëse jeta ime profesionale do të ishte një libër, titulli i tij do të ishte: “Mësim dhe vetëm mësim.” Ky do të ishte edhe mesazhi i faqes së fundit. Sepse gjatë gjithë jetës sime kam besuar se libri dhe dija janë burimi më i rëndësishëm i zhvillimit të njeriut.

Do t’u thosha brezave të rinj që librin të mos e lëshojnë kurrë nga dora, sepse përmes tij njeriu pasuron mendjen, ndërton karakterin dhe gjen rrugën drejt së ardhmes. Arsimi është drita që ndriçon shoqërinë dhe arsimtari është ai që e ndez këtë dritë tek brezat që vijnë.

Prandaj besoj se çdo mësimdhënës, përmes punës së tij të përditshme, lë një gjurmë që vazhdon të jetojë në jetën dhe në kujtesën e nxënësve të tij. /Telegrafi/