The Wall Street Journal raporton se presidenti amerikan, Donald Trump po shqyrton mundësinë e dërgimit të edhe 10 mijë trupave tokësore shtesë në Lindjen e Mesme.

Shtohet se vendosja e mundshme e trupave do t’i japë Trumpit “më shumë opsione ushtarake edhe teksa ai po shqyrton negociata paqeje me Teheranin”.


Forcat ka të ngjarë të përfshijnë këmbësori dhe mjete të blinduara, si dhe do t’u bashkoheshin rreth 5000 marinsave amerikanë që tashmë janë të dislokuar në rajon, raporton reuters.

Nuk është e qartë se ku saktësisht do të vendoseshin këto trupa. Nëse lideri amerikan vendos ta ndërmarrë këtë hap, do të ishte një tjetër sinjal se po përgatitet një operacion tokësor amerikan në Iran.

Rritja masive e numrit të trupave tokësore po shqyrtohet në një kohë kur 79-vjeçari thotë se SHBA-të janë duke negociuar me Iranin për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

Zyrtarët iranianë ende nuk janë pajtuar të mbajnë një takim të nivelit të lartë me SHBA-në dhe dyshojnë se presioni diplomatik amerikan është një tjetër manovër. /Telegrafi/