Meriton Ferizi emërohet Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës

Gjatë ditës së sotme (e enjte) janë marrë dy vendime mjaft të rëndësishme për Institucionin e Operës së Kosovës, sipas një njoftimi të bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në rrjete sociale.
Njëri nga vendimet ka të bëjë me ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Operës, në të cilin është përzgjedhur Meriton Ferizi, kurse në kuadër të kësaj u emërua edhe Këshilli përgatitor.
Në këtë të fundit bëjnë pjesë: Merita Juniku, Inva Mula, Dardan Selimaj, Rreze Kryeziu Brezniva, Besa Luzha, Edon Ramadani dhe Mehdi Uka.
Postimi i plotë i tyre (pa ndërhyrje):
“Janë marrë dy vendime shumë të rëndësishme për Institucionin e Operës së Kosovës. Z. Meriton Ferizi është emëruar Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës. Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Operës ushtron të gjitha të drejtat dhe obligimet e përcaktuara për pozitën e Drejtorit të Operës së Kosovës, veçanërisht inicion, zhvillon dhe administron të gjitha procedurat për krijimin e kushteve të nevojshme të të punësuarve në institucionin e Operës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Gjithashtu është emëruar Këshilli përgatitor për inicimin dhe funksionalizimin e institucionit të Operës së Kosovës. Këshilli ka këtë përbërje: Merita Juniku, Inva Mula, Dardan Selimaj, Rreze Kryeziu Breznica, Besa Luzha, Edon Ramadani, Mehdi Uka. Këshilli përgatitor është i mandatuar të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë për funksionalizimin e institucionit të Operës së Kosovës, duke përfshirë organizmin e brendshëm, hartimin e akteve nënligjore të nevojshme, krijimin e kushteve adekuate infrastrukturore për punë, planin vjetor të punës etj”. /Telegrafi/



























































