Një manovër e rrezikshme me një veturë tip Audi të zi me targa zvicerane po shkakton debat të gjerë në Kosovë dhe Zvicër, pasi videoja e incidentit është shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale.

Ngjarja ka ndodhur në Gjilan, ku shoferi, në vend që të priste në trafik, ka devijuar në mënyrë të rrezikshme në anën e djathtë, duke kaluar mbi trotuar e duke lëvizur midis pemëve buzë rrugës.


Pas kësaj, ai është futur sërish në rrugë me një kthesë të mprehtë në të majtë, duke tejkaluar kolonën e automjeteve që po prisnin.

“Fitimi i kohës: disa sekonda”, shkruan gazeta zvicerane Blick, që i ka kushtuar vëmendje këtij incidenti.

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj këtij rasti.

Të premten, ajo ka njoftuar se shoferi është identifikuar, gjobitur dhe është njoftuar edhe shteti helvetik për veprimin e tij.

Sipas raportimeve të Blick, automjeti është i regjistruar mbi një burrë në kantonin Thurgau. Për momentin, personi në fjalë nuk ka qenë i qasshëm për të dhënë sqarime.

Në komentet nën videon e publikuar në rrjet, përdoruesit shprehen të revoltuar.

“Kjo është një fyerje për zviceranët”, shkruan një komentues. Të tjerë dyshojnë se pas timonit mund të ketë qenë një djalë i ri, ndoshta i afërm i pronarit, dhe kërkojnë që autoritetet zvicerane të marrin masa ndaj shoferit.

Blick përshkruan se Audi po ngiste në mënyrë të dyshimtë edhe më herët: “përshpejtonte vazhdimisht dhe më pas frenonte fort. Dhe papritur devijoi djathtas. Ndoshta nuk kishte durim të priste”, citon gazeta.

Rasti ngre sërish shqetësimin për sjelljen e disa shoferëve mërgimtarë në rrugët e Kosovës dhe për nevojën e respektimit të rregullave të trafikut, pavarësisht vendit ku ndodhen.