Benjamin Mendy u ndoq nga dy pjesëtarë të sigurimit të stadiumit pasi vrapoi në fushë për të festuar fitoren e Manchester Cityt ndaj Liverpoolit të enjten mbrëma.

Manchester City ka fituar ndaj Liverpoolit me rezultat 2-1 në ndeshjen derbi të javës së 22-të të Ligës Premier.


Golat në këtë ndeshje u shënuan nga Sergio Aguero (40') dhe Leroy Sane (72') për vendasit, ndërsa për Reds shënoi Roberto Firmino (64').

Kjo fitore ka ngushtuar epërsinë e Reds më Qytetarët në vetëm katër pikë dhe kjo ka bërë të lumtur të gjithë në Etihad.

Njëri nga ta që përjetoi më shumë fitoren ishte mbrojtësi francez i lënduar, Benjamin Mendy.

Mendy City Mendy duke festuar fitoren me bashkëlojtarët (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

Mendy i veshur me një xhaketë portokalli të ndezur dhe xhinse të bardha, vrapoi me ngulm drejt bashkëlojtarëve.

Mendy City 1 Mendy dhe golashënuesi Sane (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

Megjithatë, pjesëtarët e sigurimit të stadiumit vrapuan pas tij duke e ndjekur pasi menduan se ishte ndonjë tifozë.

Një video postuar në rrjetin social Twitter tregon se si Mendy vrapon drejt Agueros, i cili shënoi golin e parë të ndeshjes, me kujdestarët që vrapuan pas tij dhe kjo video po bën gjiron e botës dhe po krijon shumë të qeshura. /Telegrafi/

telegrafi sport app