LAJMI I FUNDIT:

Mbyllet sezona e gjuetisë

Mbyllet sezona e gjuetisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka marrë vendim për mbylljen e sezonit të gjuetisë për periudhën 2016 – 2017.  Sezoni i gjuetisë për lloje të caktuara të kafshëve të egra në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ishte hapur me 6 nëntor të këtij viti, ndërkaq mbyllja e tij do të bëhet me 26 dhjetor të këtij viti.

Mbyllja e sezonit të gjuetisë është bërë me kërkesën e Departamentit të Pylltarisë në MBPZHR, i cili ka vlerësuar se ka zvogëlim të kafshëve të egra, krejt kjo si pasojë e gjuetisë ilegale, degradimit të habitateve natyrore e sidomos pyjeve, kushteve të pavolitshme klimatike dhe për shkak të menaxhimit joefikas të faunës së egër.

Këtë vendim obligohet që ta zbatojnë Agjencia Pyjore e Kosovës, Federata e Gjahtarëve të Kosovës, menaxherët e vendgjuetive, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Drejtoritë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural. /Telegrafi/