Në Dhomat e Specializuara në Hagës tashmë i përfunduan deklaratat përmbyllëse Prokuroria Speciale, mbrojtja e viktimave dhe mbrojtja e katër ish-krerëve të UÇK-së. Tashmë nisi parashtrimi i pyetjeve nga trupi gjykues.

Fillimisht gjyqtari, Kristof Barthe, i shtroi pyetje mbrojtjes së katërshes së UÇK-së për ligjshmërinë e arrestimeve apo paraburgimeve të pretenduara nga UÇK-ja.


“ A e argumentoni ju se UÇK si një grup i armatosur jo shtetëror ka pasur të drejtë për t’i arrestuar këta dy persona për arsye ushtarake apo të sigurisë dhe nëse po mbi ç’bazë ligjore e thoni këtë“, tha ai.

Avokati i ish-presidentit, Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq këtë pyetje e quajti akademike, ndërsa shtoi se me ligjin jugosllav lejohet një gjë e tillë.

“Arsyeja pse e kemi ngritur këtë është se në fazën paragjyqësore sipas ligjit jugosllav lejohet një gjë e tillë. Kur ZPS-ja tha se nuk e kundërshton këtë gjë, ne gjatë gjithë gjyqit nuk e ngritëm këtë çështje e për ta ngritur tani cenon pozitën tonë, sepse e kemi hequr nga tryeza e bisedimeve në bashkëbisedim me ZPS-në. Sipas nesh, po të kishte arsye për të burgosur ekziston një bazë dhe sipas ligjit të brendshëm çështje e të drejtës ndërkombëtare humanitare nuk janë ngritur në këtë çast dhe nuk kemi pasur njoftim të mjaftueshëm”, tha ai.

Ndërsa, avokati i Kadri Veselit, Rodrey Dixon tha se arrestimet e personave që përcaktohen si rrezik i sigurisë parashihen edhe në të drejtën humanitare ndërkombëtare.

“E drejta humanitare ndërkombëtare për konflikt të armatosur ushtarak parashikon që mund të arrestohen persona që mund të perceptohen si rrezik i sigurisë...12’31’’29 Nuk ka asnjë dyshim që personi që përbën rrezik mund të ndalohet. Nuk bëhet fjalë këtu për kushte paqeje. Bëhet fjalë për kushte lufte“, shtoi Dixon.

Ndërsa, avokati i Jakup Krasniqi, Aiden Ellis tha se UÇK-ja do të duhej të kishte gëzuar të drejtën për të marrë masa në rast se në kampin e tyre futen ushtarë armiq.

“Nëse nuk ekziston mundësia e paraburgosjes atëherë çfarë do të bëjë UÇK-ja nëse 8 ushtarë armiq futen në kampin e tyre, qoftë edhe rastësish. Sipas mendimit tonë, do të duhej të ketë gëzuar të drejtën për të parandaluar në rrethanat e kohës”, tha ai.

Në procesin gjyqësor më të madh ndaj ish-krerëve të UÇK-së tashmë fjalën përfundimtar e kanë përfunduar Prokuroria Speciale, mbrojtja e viktimave dhe mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së. Kjo fazë përfundimtare në këtë proces gjyqësor ka nisur më 9 shkurt të këtij viti.

Këtë të mërkurë priten që katërshja e UÇK-së të marrin fjalën nga 20 minuta. /KP/