Nga: Kreshnik Kuçaj
Në përfundim të Luftës së Madhe, apo Luftës së Parë Botërore, në Shqipëri nis një periudhë stabiliteti e vëmendja përqendrohet paralelisht në ngritjen e institucioneve qeverisëse dhe në ngritjen e ekonomisë.
Në fillim të viteve 1920, një ndër potencialet kryesore për të zhvilluar ekonominë e vendit ishte ajo e dhënies së koncesioneve të ndryshme për kompanitë e huaja. Në kushtet kur Shqipërisë i ishte refuzuar një hua ndërkombëtare nga Lidhja e Kombeve, që mbetej opsioni më i preferuar, qeveritarët shqiptarë iu drejtuar opsionit të dytë, atij të dhënies së koncesioneve për pasuritë natyrore që deri atëherë njiheshin po nuk ishin shfrytëzuar akoma.
Një nga pasuritë më të rëndësishme për të cilat studimet ishin premtuese ishte nafta. Për këtë qëllim, në Shqipëri erdhën përfaqësues të kompanive më të mëdha të botës duke zhvilluar atë që mund të cilësohet ‘garë’ për të marrë të drejtën e eksplorimit e shfrytëzimit të naftës. Kompani italiane, franceze, britanike e amerikane erdhën në Shqipëri për të kërkuar këto të drejta nga autoritetet shqiptare. Në listën e këtyre kompanive ishte edhe kompania e naftës “Sinclair” që në atë kohë konsiderohej një ndër shtatë kompanitë më të mëdha në Amerikë dhe një ndër kompanitë më të rëndësishme në botë.
Emrat e kompanive dhe të pronarëve të tyre u bënë shumë të famshme në Shqipërinë e fillimviteve 1920, ndaj edhe pronari i “Sinclair”-it, Henry Ford Sinclar, ishte gjithashtu i famshëm dhe si të gjithë amerikanët gëzonte vlerësimin pozitiv të shqiptarëve – edhe pse këta të fundit nuk e kishin takuar ndonjëherë industrialistin e famshëm.
Elemente që duhen evidentuar janë se shqiptarët gëzonin një adhurim për amerikanët, sidomos pas rolit të luajtur nga presidenti Thomas Woodrow Willson në moslejimin e copëtimit të mëtejmë të territorit të Shqipërisë dhe falë rolit të luajtur nga misionarët amerikanë të Kryqit të Kuq amerikan që erdhën direkt pas përfundimit të luftës në Shqipëri duke ndihmuar familjet shqiptare për kapërcimin e pasojave të luftës.
Ndaj, në rast se një amerikan do të propozohej si alternativë për detyrën më të lartë qeverisëse të vendit, në shembullin e Princ Wiedit në 1914, pak ose aspak shqiptarë do t’i thoshin jo kësaj alternative.
Konform vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1913, ishte përcaktuar se Shqipëria do të ishte një Principatë kushtetuese e pavarur dhe e trashëgueshme, nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Në këtë mënyrë, princi Wilhelm Wied u zgjodh për fronin e Shqipërisë por këtë detyrë e mbajti vetëm pak muaj, duke u detyruar të largohet nga Shqipëria pas trazirave.
Pas periudhës së Luftës kur Shqipëria administrohej nga trupat ushtarake ndërkombëtare, në vitet 2920 do të rikthehej diskutimi sërish se cili do të ishte rendi kushtetues i vendit. Deri në atë periudhë, në fuqi mbetej Statuti Organik i vitit 1914 që juridikisht nënkuptonte se Shqipëria ishte Principatë e që Wiedi formalisht ishte akoma sovrani i vendit.
Megjithatë, pas Kongresit të Lushnjës në vitit 1920 dhe sidomos pas Statutit të Zgjeruar të Lushnjës u konfirmua edhe më shumë se rendi kushtetues do të ishte një tjetër. Vendimi i marrë ishte për përzgjedhjen e rendit kushtetues “Republikë” me një president të fortë, sipas modelit amerikan.
Por, ndërsa Shqipëria po konsolidonte rrugën e vendosjes së rendit kushtetues si Republikë, që praktikisht rrëzonte Statutin Organik të 1914 dhe si rrjedhojë edhe do të zhbënte “Mbretërinë e Wied-it”, në shtypin amerikan del një lajm për një ftesë të pazakontë. Gazeta amerikane “Chicago Tribune” do të publikonte një artikull që më pas do të gjente reflektim edhe në “New York Times” me 17 dhjetor të vitit 1923. Në artikull evidentohej se një anëtar i misionit shqiptar në Romë i kishte thënë gazetës se njëfarë milioneri amerikan i është ofruar froni i Shqipërisë së pasues i Princ Wiedit, me shpresën se ai mund ta vendoste vendin në një bazë financiare të shëndoshë.
Kjo gazetë, në fakt, edhe pse nuk e ka konfirmuar emrin e milionerit amerikan, hedh dyshime se personi për të cilin bëhet fjalë është industrialisti i njohur amerikan Harry Ford Sinclair.
“Shumë agjentë të fshehtë të z. Sinclair janë parë të lëvizin nëpër Romë dhe Tiranë javën e kaluar. Ata janë në vëzhgim të të afërt nga policia politike e shumë vendeve evropiane”, shkruan gazeta.
“New York Times” nuk do të linte me kaq këtë lajm, por do t’i kushtonte vazhdimisht rëndësi. Me 19 dhjetor të vitit 1923, gazeta do të publikonte një artikull me titullin “Të kënaqur me historinë e ‘mbretit’ Sinclair. Miqtë e tij në Wall Street e marrin me humor ‘ofertën’ shqiptare”. Më tej, gazeta hedh dritë më shumë se çfarë ka ndodhur. Në artikull shkruhet se një fraksion i partisë monarkiste në Shqipëri ka thënë se është për amerikanin e naftës.
“Raportime të ndryshme shkruajnë se froni i Shqipërisë i është ofruar Harry F. Sinclairit, amerikanit të naftës, si pasues i princit Wilhelm Wied me shpresë së ai mund të fusë vendin në baza ekonomike të shëndosha” shkruhet në artikull, por më tej evidentohet se kur është marrë mendimi i ortakëve të biznesit të Sinclair, këta të fundit u morën me të qeshur duke thënë vetëm se kompanitë e shumta që zotëronte industrialisti i njohur e mbanin atë më të ngarkuar me punë sesa do të mundeshin ndonjëherë financat e Shqipërisë.
Në artikull evidentohet gjithashtu se në zyrën e Sinclairit kishin mbërritur shumë telegrame nga miqtë e tij me adresimin “Kink Sinclair”. Në këtë rast, bëhej fjalë për një lojë fjalësh Kink (ngërç) – King (mbret); pra “Ngërçi Sinclair” dhe jo “Mbreti Sinclair”. Më tej, ortakët e industrialistit të njohur shprehen se “Harry nuk do të ndërronte punën që ka as për postin e mbretit të Anglisë”.
Gazeta që shkruajti e para për ftesën shqiptare për industrialistin e famshëm amerikan shkon me tej kur jep detaje se nga erdhi oferta. “Chicago Tribune”, në dhjetorin e 1923 shkruan se “një telegram nga Tirana konfirmon se një seksion i partisë monarkiste shqiptare ka nisur të ‘tenderojë’ informalisht postin e mbretit për Harry F. Sinclairin, por një fraksion tjetër i drejtuar nga Aqif Pasha që ndodhet në Vjenë, po punon për kthimin e Princ Wiedit”. Nëse fraksioni monarkist, sipas gazetës, do të merrte pushtet në zgjedhje, atëherë ata do t’i ofronin z. Sinclair postin e mbretit dhe koncesione ekskluzive për naftën në këmbim të një huaje domethënëse që ai do t’i jepte qeverisë.
Por, kush ishte Harry Ford Sinclair?
Harry Ford Sinclair lindi në vitin 1876 në West Wirginia dhe u nda nga jeta në vitin 1956. Në vitin 1910, së bashku me tre biznesmenë të tjerë, blen një bankë bujqësore të falimentuar. Ai bëhet president i bankës. Në vitin 1916, me suksesin e madh të arritur, formon ‘Sinclair Oil’-in nga asetet e 11 kompanive të vogla të naftës që i bashkoi. Në të njëjtin vit bleu një kompani që kishte në zotërim tubacione të shumta dhe rafineri të tjera. Kompania e tij arriti të bëhej kompania e shtatë më e madhe në Shtetet e Bashkuar.
Në vitin 1920 ishte përfshirë në një skandal dhe kishte kryer gjashtë muaj burg për pengim të jurisë gjatë procesit gjyqësor. Pas kësaj iu rikthyer jetës së mëparshme dhe shijoi pasurinë e tij derisa u nda nga jeta.
Artikujt e shumtë që filluan të “ziejnë” në shtypin amerikan, e sidomos qasja ironike që kishte përmbajtja e tyre, sollën një fushatë reagimesh nga pala shqiptare. Në “lojë” futet Faik Konica, misionari amerikan që ishte në Shqipëri Charles Telford Ericksson dhe konsulli shqiptar A. B. Sula. Me stilin e tij të veçantë të të shkruarit që e karakterizonte, Faik Konica i drejton një letër redaktorëve të “New York Times”-it me titullin: “Nuk duhet një mbret amerikan. Në çdo rast, mbretëria e naftës ofron më shumë siguri se Shqipëria”.
Letra e publikuar edhe në gazetë me 21 dhjetor 1923 nis me fjalinë: “Shtypi amerikan në ditët e fundit ka qenë viktime e një shakaje budallaqe”.
“Zërat se zotërisë Sinclair i është ofruar kurora e Shqipërisë janë, sigurisht, një shaka, një shaka me shije të dyshimtë, madje edhe i mungon edhe hiri i risisë. Është përsëritur aq shpesh edhe në kurriz të personaliteteve të tjera amerikane dhe është në mënyrë të pashpresë bajate. Një fakt i vogël që do të mjaftojë për të hedhur në erë këtë shaka: zgjedhjet për një konventë konstitucionale po mbahen tanimë në Shqipëri dhe si partia qeverisëse dhe ajo opozitare që me shumë gjasa do të fitojë, kanë shpalosur platformat e tyre për regjimin republikan, si më të përshtatshmin për Shqipërinë. Kështu që, mesa duket nuk ka shanse për një monarki. Gjithsesi, mbretërit, ashtu si poetët, lindin, nuk bëhen…”, shkruan Konica në letrën e tij.
Më tej, në cilësinë e presidentit të Federatës Shqiptare, Konica shkruan se amerikanët janë të huajt më popullorë në Shqipëri dhe se askush nuk e harron kontributin e dhënë nga presidenti Willson dhe punën e bërë nga Kryqi i Kuq amerikan në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Teksa e vlerëson Sinclairin si “një amerikan të vlefshëm”, Konica shprehet se “ai nuk është Amerika”: “Me siguri se ky zotëri i dashur ka qenë i pari që ka qeshur me këtë shaka. Mbretëria e naftës është më pak romantike se mbretëritë e tjera, është më domethënëse dhe më e sigurt”, e mbyll letrën e tij Konica.
Në debatin për “mbretin amerikan” të shqiptarëve do të përfshihej edhe Frederick Cunliffe-Owen, një shkrimtar britanik që jetonte në New York dhe që punonte si gazetar. Ky i fundit, që njihej me pseudonimin “Marquise de Fontenoy”, shkruante kryesisht për shoqërinë aristokratike e mbretërore evropiane, si dhe kishte eksperiencë diplomatike. Ai mbante gradën e kolonelit dhe kishte marrë një serë titujsh nderi nga Britania deri në Serbi. Në rastin aktual, ai i kushton një editorial në “New York Times” propozimit për fronin shqiptar duke analizuar arsyet se pse shqiptarët po e bënin një kërkesë të tillë. Në editorialin e tij, bën një përshkrim të gjatë se cilët janë shqiptarët dhe ndalet mes të tjerash edhe në situatën politike dhe ekonomike të vendit.
“Shqipëria njihet nga të gjithë dashamirësit e sportit në të gjithë Evropën se ka një nga gjuetitë më të mira në botë, por njihet edhe nga fuqitë e mëdha e të vogla si burimi i sherreve ndërkombëtare dhe shqetësimeve të brendshme, të cilat deri më tani u kanë zënë rrugën eksplorimeve dhe zhvillimit të resurseve të fjetura, sidomos fushave të pasura naftëmbajtëse”, shkruan ai në artikull.
Më tej ai evidenton se arka e shtetit është bosh dhe se ka një rritje të ndjeshme të kriminalitetit.
Pas ofertës shqiptare për ‘mbretin e naftës’, sipas tij fshihet nevoja e Shqipërisë për të pasur administrim ekonomik, eksplorim të rezervave të naftës si dhe për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet e huaja. Artikulli në fakt përmban disa pasaktësi historike, por edhe mosnjohje të realitetit të Shqipërisë së vitit 1923, çka bën që të ketë dy reagime të njëpasnjëshme.
Reagimi i parë vjen nga Charles Telford Erickson, misionari i njohur amerikan që jetoi rreth 30 vite në Shqipëri e që ngriti shkollën shqiptaro-amerikane bujqësore në Kavajë. Në replikën e tij, Erickson evidenton pasaktësitë historike që përmbante editoriali i Cunliffe-Owenit, vlerëson lart shqiptarët dhe hedh poshtë pretendimin se ishte rritur kriminaliteti. Misionari amerikan evidenton faktin se ka jetuar në Shqipëri dhe ashtu si Konica shkruan se dy forcat kryesore që garojnë në zgjedhje janë për një rend kushtetues republikan. Gjithsesi, nëse ndodh ndryshe, Erickson shkruan se “do të jetë i pari që do të thërrasë ‘Rroftë Mbreti’ nëse shqiptarët do të zgjedhin monarkinë dhe si mbret amerikanin e naftës”.
Debatit i jep fund një shkrim zyrtar i konsullit shqiptar (A. B. Sula) që në reagimin zyrtar hedh poshtë pretendimet se situata në Shqipërinë e pasluftës botërore është ende e pastabilizuar dhe se arka e shtetit është bosh.
“Sot Shqipëria ka një buxhet të balancuar, që është e rrallë në mes vendeve evropiane. Po ashtu, Shqipëria nuk ka borxh publik, duke u bërë një prej pak vendeve që e shijon një privilegj të tillë dhe në të njëjtën kohë ka si monedhë arin. Domethënë, thesari nuk është bosh sikurse pretendon z. Owen. Në kuadrin e lajmeve false të raportuara, jam i detyruar që të shpreh qëndrimin se pas eksperiencës së hidhur me Princ Wiedin në 1914 dhe në kuadër të ecurisë së përditshme të demokracisë me shtetet fqinje, shqiptarët janë të vendosur që të mos lejojnë despotizmin e një mbreti. Si rrjedhim, ata nuk ia kanë ofruar fronin asnjë princi e as z. Harry Sinclair”, shkruan konsulli shqiptar në reagimin drejtuar “New York Times”-it.
Ky reagim në fakt i jep fund debatit në shtypit amerikan! Shqipëria vijon rrugëtimin duke u shpallur në vitin 1925 Republikë dhe jo monarki. Megjithatë, vetëm tre vite më vonë, fjalët e Konicës në “New York Times” nuk do të realizoheshin, sepse në vitin 1928 Shqipëria u shpall monarki “me një mbret të bërë dhe jo të lindur”. /SCAN/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje