Skuadra e Shkëndijës që para shtatë ditësh përfundoi angazhimet e paraqitjeve në kampionatin vendor, për gjysmësezonin vjeshtor dhe tani janë të fokusuar vetëm në garat e UEFA Ligës së Konferencës, njofton Telegrafi.

Tetovarët nuk arritën ta fitojnë epitetin “kampion i vjeshtës”, ndërsa ndërkohë i lejuan Vardarit dhe Strugës të krijojnë një epërsi të konsiderueshme në krye të tabelës. Çmimi për këtë, pa dyshim, u pagua në arenën evropiane.


Këtë sezon, Shkëndija shkroi një faqe të re në historinë e klubit, duke u paraqitur për herë të parë në fazën ligës të një gare nën ombrellën e UEFA-s.

Në xhiron e fundit të fazës së grupeve, skuadra kuqezi nga Tetova e pret një përballje e vështirë në Qipro ndaj AEK Larnakës.

Fitorja ndaj Slovan Bratislavës i ringjalli shpresat për kualifikim në “play-off”, ndaj përballja në Qipro për Shkëndijën merr karakterin e një ndeshjeje “merr gjithçka ose asgjë”.

Suksesi ndaj kampionit sllovak e riktheu besimin te ekipi nga Tetova, edhe pse barazimi i hidhur me Jagjelloninë, me golin e pësuar në minutat e fundit, si dhe humbja nga Drita, janë ende të freskëta në kujtesë.

Megjithatë, këto kujtime tani duhet të mbeten pas, nëse synimi është vazhdimi i rrugëtimit evropian edhe në pranverë.

Në anën tjetër, AEK Larnaka po shfaqet shumë më e sigurt në skenën ndërkombëtare. Edhe pse në kampionatin vendas nuk është në nivelin e pritur, skuadra qipriote në Ligën e Konferencës pas katër ndeshjeve ka regjistruar dy fitore dhe dy barazime. Në shtëpi ka mposhtur AZ Alkmaar dhe ka barazuar me Aberdeen, dhe me një bilanc të tillë, logjikisht hyn si favorite edhe në përballjen me kampionin e Maqedonisë Shkëndijën. Ndeshja AEK Larnaca – Shkëndija luhet sot me fillim në ora 21:00. /Telegrafi/

telegrafi sport app