Mbledhja e tretë e Qeverisë së Kosovës, miratohen disa projektligje dhe marrëveshje kredie

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e tretë elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh që lidhen me financimin e projekteve infrastrukturore, energjetike dhe zhvillimore.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Projektin e Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë”, kredi shtesë ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
Gjithashtu është miratuar projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”.
Në fushën e infrastrukturës dhe mjedisit, Qeveria ka miratuar edhe projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”, si dhe marrëveshjen për Projektin e Efiçencës së Energjisë në Ndërtesa Publike.
Në kuadër të kësaj mbledhjeje është shqyrtuar dhe aprovuar edhe kërkesa e Komunës së Zubin-Potokut për miratimin e buxhetit, pas aprovimit të tij nga Kuvendi Komunal për vitin 2026.
Qeveria ka marrë gjithashtu disa vendime për t’i kërkuar Presidentes së Republikës së Kosovës autorizimin për Ministrin e Financave për nënshkrimin e marrëveshjeve të ndryshme të kredive me institucione ndërkombëtare financiare. Këto përfshijnë projektet “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”, “Zhvillimi i Sektorit Financiar në Kosovë” si dhe “Programin e Kredisë të Bazuar në Politika”, në bashkëpunim me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim.
Po ashtu, është miratuar nisma për lidhjen e një marrëveshjeje kredie ndërmjet Republikës së Kosovës dhe KfW – Frankfurt am Main për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika.
Në mbledhje është miratuar edhe nisma për lidhjen e dy marrëveshjeve të grantit për Projektin e Efiçencës së Energjisë në Ndërtesa Publike, ndërmjet Republikës së Kosovës, Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Këto grante janë pjesë e Programit Rajonal për Efiçiencën e Energjisë për Ballkanin Perëndimor dhe Fondit Danez për Kosovën – Partneriteti për Tranzicion të Gjelbër dhe të Drejtë në Kosovë./Telegrafi/



















































