Ky tekst nuk është ofendim është thirrje për zgjim




Arbër Peci
Trajner fitnesi

E kam parë me sytë e mi si mbipesha ua ka shkatërruar jetën njerëzve që dikur ishin të fortë.

Jo nga ushqimi, por nga mungesa e kontrollit. Nga justifikimet, nga “nesër filloj”, nga vetëgënjeshtra që e quajnë “vetëpranim”

Ky tekst nuk është ofendim është thirrje për zgjim. Sepse askush nuk shpëton nga e vërteta, por shumë vonohen nga gënjeshtra.

Ti që po e injoron trupin tënd, nuk je “vetvetja” je një version i sëmurë i vetes. Mbipesha nuk është “normalitet i ri”. Është burimi i diabetit, presionit të lartë, goditjeve në tru e deri te kanceri.

Trupi yt nuk është më nën kontrollin tënd është peng i zakoneve tua. Kur të sëmuresh, do ta kuptosh se “vetëpranimi” nuk ka vlerë në spital. Askush s’do të qëndrojë pranë dikujt që është dorëzuar. E, edhe nëse dikush qëndron, do t’ia rëndosh jetën, jo t’ia lehtësosh.

Ngopja nuk është në bark është në mendje. Ti nuk je i uritur, je i varur. Mbipesha nuk është karakter, është pasojë. Është mënyra se si trupi yt të thotë: “Mjaft me keqpërdorime.”

Udhëzimet që unë ua them të gjithëve që janë në mbipeshë:

1. Mos kërko motivim. Kërko përgjegjësi

Nëse s’ke disiplinë, as programi më i mirë s’të ndihmon. Mos prit të ndihesh gati fillo. Çdo ditë që e shtyn, po i jep mbipeshës fuqi mbi jetën tënde.

2. Nisu me lëvizje minimale, por të përditshme

30 minuta ecje me ritëm të shpejtë çdo ditë janë më të vlefshme se një orë palestër një herë në javë. Kur fillon të djersitesh, trupi po reagon. Mos e ndal. Mos kërko “sekretin” sekreti është të mos ndalosh.

3. Kur vjen puna te ushqimi, mos më thuaj “s’po ha shumë”

Sasia s’ka rëndësi nëse cilësia është pleh. Hiq bukën e bardhë, pijet e gazuara, sheqerin dhe vaktet e vona. Mos ha për qejf ha për qëllim. Fillon me mish të bardhë, oriz integral, perime dhe ujë. Mos hidh shumë kripë, hidh disiplinë.

4. Mos bëj dietë për tri ditë dhe pastaj bëj festë ditën e katërt

Trupi yt nuk është rrobalarëse që fshin mëkatet ushqimore. Konsistenca e fiton çdo herë luftën ndaj perfeksionit. Do të ketë ditë që s’ke energji bëje gjithsesi. Atë ditë ndodh ndryshimi i vërtetë.

5. Mëso trupin të flejë

Gjumi është trajnimi më i nënvlerësuar. 7–8 orë gjumë të rregullt janë pjesë e procesit të transformimit. Mos shko në shtrat me telefon shko me qetësi në tru. Trupi nuk ndërtohet në palestër, ndërtohet në gjumë.

6. Mos kërko rezultat brenda javës

Mbipesha nuk erdhi brenda javës as s’do të largohet ashtu. Mos e vlerëso suksesin me kilogramë, por me ndjenja: më pak frymëmarrje e rëndë, më shumë lëvizshmëri, më shumë energji. Këto janë shenjat e shërimit.

7. Mos e ngatërroni “vetëpranimin” me dembelizëm

Ta pranosh veten nuk do të thotë ta dëmtohesh. Prano që je në pikën ku ke nevojë për ndryshim dhe vepro. Ky është vetëpranimi i vërtetë. Trupi yt nuk të urren po të kërkon. Po të kërkon ndihmë, kujdes, përkushtim. Dhe çdo ditë që e injoron, po zgjedh ta sëmurësh më shumë.

Mos e harro këtë: Vetëm disiplina është terapi falas. Vetëm e vërteta të shëron edhe kur të dhemb. /Telegrafi/