Ura e Golikut, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, e ndërtuar në fund të shekullit XVII, po përballet sot me rrezikun real të shkatërrimit.

Një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonën e Mokrës, e lidhur historikisht me degëzimin e rrugës antike Egnatia, po dëmtohet vazhdimisht nga gërmimet e paligjshme.


Prej vitesh, ura bie pre e kërkuesve të arit dhe materialeve arkeologjike, të cilët ndërhyjnë në mënyrë të përsëritur në strukturën dhe trupin e saj, duke cenuar seriozisht qëndrueshmërinë e monumentit.

Dëmtime të tilla janë konstatuar edhe së fundmi, por autorët mbeten të paidentifikuar, pasi gërmimet kryhen gjatë orëve të natës. Pasojat janë të dukshme: zgavra në themele, çarje në trupin e urës dhe shembje të pjesshme të materialit lidhës, dëmtime që përbëjnë rrezik serioz, shkruan A2 CNN.

Përveç ndërhyrjeve, edhe faktorët atmosferikë kanë luajtur rolin e tyre. Mbi 300 vite ekspozim ndaj reshjeve, ngricave dhe erozionit kanë përshpejtuar degradimin e urës, duke e bërë sot emergjente ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.

Problemi nuk është i izoluar. Ashtu si Ura e Golikut, edhe varret monumentale të Selcës, vetëm pak kilometra më tutje, një tjetër sit arkeologjik me rëndësi të jashtëzakonshme, kanë rënë pre e grabitësve, të cilët gërmojnë pa asnjë pengesë, duke shkatërruar pasuri të pazëvendësueshme kulturore.

- YouTube www.youtube.com