Policia në Gjilan njofton se, në vazhdën e implementimit të planeve operative për siguri në trafik, ka ndërmarrë një varg veprimesh gjatë javës së fundit.

Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 1,380 gjoba. Po ashtu, në kuadër të këtyre planeve, janë hetuar 18 aksidente me dëme materiale dhe 10 aksidente të trafikut me të lënduar.


Përveç kësaj, është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për 17 ngasës. Ndërkohë, 97 gjoba janë shqiptuar ndaj ngasësve që janë kapur duke vozitur automjete me xhama të errët, me vendosje folie ose materiali tjetër, në kundërshtim me ligjin.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafik, Policia e Gjilanit apelon tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik.

“Uleni shpejtësinë, mos përdorni telefonin, vendosni rripin e sigurisë, kini kujdes ndaj këmbësorëve; këmbësorë, përdorni vijat e bardha për kalimin e rrugës; mos e neglizhoni sinjalistikën rrugore dhe semaforët,” thuhet në njoftimin e Policisë, duke theksuar se siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. /Telegrafi/