Mbetje mortore u gjetën në Rahovec, policia: Dyshohet se i përkasin një të zhdukuri të luftës

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me një rast të personit të zhdukur nga periudha e luftës 1998-1999, pas gjetjes së disa mbetjeve mortore gjatë gërmimeve të realizuara në Rahovec.
Sipas policisë, njësia kompetente ka zhvilluar gërmime në një lokacion të dyshuar, ku gjatë punimeve janë hasur pjesë eshtërore me prejardhje njerëzore. Dyshohet se këto mbetje mund t’i përkasin një individi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë dërguar në Instituti i Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe analiza të ADN-së, me qëllim të identifikimit të mundshëm të viktimës.
Ndryshe, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se në lokacionin e njohur si “Përzhina” në Rahovec kanë rifilluar gërmimet vlerësuese për persona të zhdukur.
Gjatë këtyre aktiviteteve janë zbuluar mbetje mortore të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar për ekzaminim forenzik, ndërsa identiteti dhe numri i individëve do të konfirmohen vetëm pas përfundimit të analizave përkatëse.
Gërmimet po realizohen në bashkëpunim ndërmjet Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Policisë së Kosovës dhe ekspertëve mjekoligjorë, në përpjekje për të ndriçuar fatin e personave që rezultojnë ende të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet dhe verifikimet në terren do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. /Telegrafi/



















































