Përpjekjet për të zbardhur fatin e të zhdukurve nga lufta në Kosovë po vazhdojnë me intensitet.

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka bërë të ditur se gjatë këtij viti janë kryer gërmime në 24 lokacione brenda territorit të Kosovës, ndërsa në 12 prej tyre janë zbuluar mbetje mortore që mund të jenë të personave të zhdukur.


Kryesuesi i Komisionit, Andin Hoti, konfirmoi se lokacioni i fundit që po gërmohet në varrezat në Hajvali nuk është i fundit për këtë vit, ndërsa theksoi se identifikimi i viktimave do të bëhet vetëm pas analizave të ADN-së.

“Vetëm në këtë vit ne kemi gërmuar 24 lokacione në territorin e Kosovës, pa përfshi territorin e Serbisë. Nga 24 lokacione ne kemi arrit mi gjet mbetjet mortore të personave që potencialisht mund të jenë nga lista e të zhdukurve në 12 lokacione. Kjo nuk do të thotë që patjetër këta persona janë persona të zhdukur. Këtë e thotë patjetër vetëm kur vjen raporti i ADN-së”, tha Hoti.

Ai shtoi se në lokacionin e 24-të, që ndodhet në Hajvali, janë gjetur mbetje mortore të së paku katër personave dhe kjo është bërë e mundur falë bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare dhe Kryqin e Kuq.

“Lokacioni i fundit i 24 që sot po gërmohet, nuk është i fundit për këtë vit, vjen si rezultat i disa analizave dhe raporteve edhe një bashkëpunimi të mirëfilltë që kemi me organizatat ndërkombëtare dhe Kryqin e Kuq. Në këtë lokacion kemi arrit me i gjet mbetjet mortore të së paku 4 personave”, u shpreh Hoti.

Hoti sqaroj publikisht se çdo raportim mediatik për gjetje të reja mund të shkaktojë shqetësim te familjarët, duke iu referuar thirrjeve që ka pranuar nga qytetarët të cilët kërkonin të dinin nëse të afërmit e tyre janë identifikuar.

“Po lutem me gjetë mirëkuptimin e qytetarëve, familjarëve dhe juve (gazetarëve) sot në mëngjes pas një raportimi që ka ndodhur për këtë. Sot në mëngjes më kanë thirr dy familjarë të shqetësuar tej mase. Me pyetje a është prindi im, a është gjyshi im, apo vëllai im... ju lutem që asnjëherë në radhë të parë mos të merret gjithsesi që në atë lokacion ka persona të zhdukur”, u shpreh ai.

Duke folur për përmasat e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës, Hoti theksoi mënyrën e organizuar të fshehjes së trupave nga një vend në tjetrin.

“Serbia ka ditë me bo krime të shumëfishta në Kosovë që mendja e njeriut pak i kupton. Ka vra njerëz, po e marrë shembull në Prizren i ka varros në Prishtinë e më pas i ka dërgu në Serbi. Mos të krijohet një shqetësim se ndoshta e gjetën familjarin tim. Le të presin sepse janë disa muaj në pritje që bëhen ekspertizat”, theksoi Hoti.

Këshilltari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se lokacioni në Hajvali, i cili po trajtohet aktualisht, ka qenë objekt i gërmimeve edhe në tetor të vitit 1999, kur janë gjetur dhe zhvarrosur 8 trupa.

Sipas tij, ky vend vazhdon të mbetet prioritar për shkak se dyshohet për praninë e të paktën edhe 7 viktimave të tjera.

“Këtë lokacion ne jemi rikthy, trajtimi i parë i këtij lokacioni është bërë në muajt e parë të pasluftës diku në tetor të 1999. Qysh atëherë janë gjetur 8 trupa dhe janë zhvarrosur, një identifikim që ka ndodh në atë kohë. Dhe mbetet me prioritet edhe gjetja dhe zhvarrosja e 7 viktimave të luftës që potencialisht mund të jenë në listën e personave të zhdukur”, tha Gara.

Gara theksoi se mungesa e informatave të besueshme dhe mënyra se si janë përdorur këto zona nga forcat serbe për të fshehur trupat i bën këto lokacione veçanërisht sfiduese.

“E kemi theksuar se lokacione të tilla si ky në Hajvali gjithmonë janë sfiduese në kuptimin e trajtimit për shkak se si zona janë përdorur nga forcat serbe për t’u përpjekur për t’i fshehur gjurmët e krimit. Edhe në këtë rast po flasim për një veprim të tillë ku pacientë të Spitalit të Prishtinës, viktima të luftës janë bartuar gjatë kohës së luftës në këtë hapësirë dhe mungesa e informacionit të besueshëm në raste të tilla është gjithmonë sfiduese”, u shpreh ai.

telegrafi.com

Gërmimet janë duke u realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjatë luftës së viteve 1998/’99 në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, ndërsa mbi 1.500 vazhdojnë të jenë të zhdukur. Deri tani, janë gërmuar mbi 2,500 lokacione.

Autoritetet thonë se do të vazhdojnë me angazhimin maksimal për zbardhjen e fatit të secilit prej tyre. /Telegrafi/


telegrafi.com